“Incidentet e muajve të fundit në veri të Kosovës, kanë dërguar mesazhe jo të mira dhe po i brengosin qytetarët në atë pjesë të vendit”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Hoxhiq, kanë kaluar 2 vjet nga zgjedhjet lokale në veri të Kosovës. Sa ka arritur të integrohet Mitrovica e veriut në institucionet e Kosovës dhe çfarë janë problemet në këtë drejtim?
Adrijana Hoxhiq: Integrimi i veriut në sistemin e Kosovës është duke shkuar me të vërtetë shumë ngadalë. Unë kam pritur që do të kemi një përparim më të madh. Por, për çështje teknike që në të vërtetë, nuk janë arsyetim i mjaftueshëm, integrimi ka ndodhur ndoshta vetëm në Komunën e Mitrovicës së veriut. Sa i përket komunave tjera, duke përfshirë edhe Mitrovicën e veriut, sfida më e madhe ka qenë buxheti për vitin 2015, ku të gjitha aktivitetet dhe i tërë procesi i integrimit, kanë stagnuar.
Në të vërtetë, i vetmi përparim është që në katër komuna ekzistojnë asambletë komunale, të cilat i kanë mbledhjet e tyre, ashtu siç ishte dashur të takohen, sipas ligjit për vetëqeverisje lokale. Unë besoj që këto asamble mund të punojnë dhe kanë mundur të punojnë shumë më shumë se sa që kanë punuar deri tani.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Hoxhiq, muajt e fundit, janë shënuar një varg incidentesh në veri të Kosovës. A kanë ndikuar ato në tensionimin e situatës atje?
Adrijana Hoxhiq: Unë mund të flas në emër të qytetarëve, të cilët jetojnë në Mitrovicën veriore, sepse shumica e këtyre incidenteve kanë qenë ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Së fundi, kemi pasur edhe incidentin ndërmjet boshnjakëve dhe goranëve. E gjithë kjo nuk është një porosi e mirë.
Tek qytetarët vërehet një brengë e madhe, sepse njerëzit kanë pasur shpresa që pas zgjedhjeve lokale do të vijnë ditë më të mira dhe ditë më të qeta. Unë besoj që këto incidente janë mesazh i qartë për policinë, për EULEX-in, për KFOR-in, që me të vërtetë, ka shumë punë për këto institucione dhe besoj që ata së bashku duhet ta zhvillojnë një strategji për vendosjen e një mekanizmi që do të jetë vërtetë i frytshëm sa i përket ligjit dhe rendit në qytet.
Radio Evropa e Lirë: A kanë ndikuar të dy kryetarët e Komunave të Mitrovicës, të veriut dhe të jugut, që kjo gjendje të shtendoset?
Adrijana Hoxhiq: Unë besoj që të dy kryetarët e kanë dhënë maksimumin e vet për ta mbajtur situatën e sigurisë nën kontroll. Të jem më e saktë, po të mos i kishim pasur këta dy kryetarë, që të veprojnë ashtu siç kanë vepruar, unë frikohem se kemi mundur të kemi situata shumë më të tensionuara dhe për sa i përket sigurisë, situatën shumë më komplekse se sa që është.
Unë kam pasur nderin dhe rastin që të jem e pranishme shumë herë gjatë bisedimeve që i kanë pasur të dy kryetarët me qytetarët por edhe vetëm të dy kryetarët. Me të vërtetë, aq është niveli i lartë i sinqeritetit të përfshirjes së të dy kryetarëve në këto procese, sa që unë nuk kam fjalë ta shpjegoj.
Unë vetëm shpresoj që këta të dy kryetarë do ta gjejnë mirëkuptimin tek nivelet qendrore për përkrahje, sepse situata është aq komplekse, sa që të dy kryetarët nuk mund t’i rregullojnë të gjitha problematikat dhe që vet t’i menaxhojnë sfidat. Duhet ta kenë një përkrahje më të madhe nga niveli qendror edhe nga Prishtina, por edhe nga Beogradi.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, zonja Hoxhiq, dy kryetarët e Komunave të Mitrovicës së veriut dhe Mitrovicës së jugut, kanë deklaruar se do ta zgjidhin shumë shpejt çështjen e barrikadës mbi urën kryesore mbi lumin Ibër apo siç quhet “Parku i paqes”. A është shënuar ndonjë lëvizje në këtë drejtim dhe kur mund të pritet që kjo të ndodhë?
Adrijana Hoxhiq: Të jem e sinqertë, çështja e barrikadës në formë të “Parkut të paqes”, unë nuk e besoj se është një gjë që do të zhvillohet dhe rregullohet vetëm nga ana e dy kryetarëve. Ura kryesore (mbi lumin Ibër) është politizuar dhe kjo çështje do të rregullohet nga niveli i lartë, por mund të prezantohet sikur një zgjidhje, të cilën e kanë bërë të dy kryetarët, të Mitrovicës veriore dhe të Mitrovicës së jugut.
Unë nuk kam informata se janë zhvilluar aktivitete lidhur me këtë çështje. Sa di unë, është duke u zhvilluar një plan në nivelin e lartë, ku është përfshirë edhe Bashkimi Evropian, për hapjen e kësaj ure. Por, nuk e di se ku është këtu roli i dy kryetarëve dhe cili është qëndrimi i tyre. Në fakt, qëndrimi i kryetarit të komunës së jugut është i qartë, por nuk kam informatë lidhur me qëndrimin që mund ta ketë kryetari i komunës së Mitrovicës veriore.
Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, përfaqësues të shqiptarëve në Mitrovicën e veriut, thonë se serbët po ndërtojnë shtëpi në këtë komunë dhe po e kolonizojnë atë pjesë të vendit. Si i shihni ju këto akuza dhe a kanë bazë reale?
Adrijana Hoxhiq: Ndërtimet po ndodhin. Ato po ndodhin më së shumti në Lagjen e Boshnjakëve. Nuk kisha mundur ta quaj si një lloj kolonizimi, siç e kanë quajtur ata, sepse unë nuk jam politikane, transmeton rel.
Por, është e vërtetë se ndërtimet po bëhen. Ndërtimet e ndërtesave të larta po bëhen nga strukturat serbe. Kurse, në tjetrën anë, kemi edhe ndërtimet që i bëjnë edhe shqiptarët, ndërtime të dyqaneve të ndryshme, të shtëpive dhe kryetari i komunës së Mitrovicës veriore nuk është duke e penguar këtë proces.