Anëtari i Kryesisë dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se partia e tij distancohet dhe është qartazi kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai në një intervistë për Rtv Ora ai mohon që kjo të jetë edhe agjenda e Presidentit Thaçi sikundër në vijimësi është akuzuar nga Kurti dhe Haradinaj.
Këta të fundit sipas tij i kanë fryrë fort kësaj teze pasi kanë dashur ti ikin dialogut me Serbinë dhe të mos marrin përgjegjësi.
“Ne si PDK kemi qenë të qartë, shkëmbimi territorial nuk është një zgjidhje. Në 2020 kjo nuk është axhendë as e presidentit Thaçi dhe e askujt në Kosovë. Por të gjithë ata që i frikësohen dialogut, nuk kanë pasur guxim të marrin përgjegjësi për dialog, qoftë aktualisht kryeministri Kurti apo në të kaluarën kryeministri Haradinaj, me pretekstin se epilogu mund të jetë kjo, kanë bërë përpjekje ti ikin dialogut. Qasja jonë është që ne do të duhet të dialogojmë me Serbinë, do të duhet të negociojmë më të mirën e mundshme për Kosovën, të shohim cili do të jetë rezultati final i marrëveshjes dhe pastaj i takon Kuvendit të Kosovës ti thotë po apo jo një marrëveshje të tillë. Por promovimi i frikës si politikë në raport me dialogun e ka dëmtuar shumë Kosovën”, ka deklaruar Hoxhaj.
Duke e konsideruar Kosovën sovrane dhe të pavarur një trashëgimi politike të PDK, Hoxhaj është i prerë kur thotë se shtetndërtimi i Kosovës duhet të përmbyllet me kufijtë dhe territorin 2008.
“Qëndrimi jonë ka qenë i qartë në 2018, duhet të përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës me këta kufij, këtë territor që e kemi filluar në 2008. Është trashëgimi politike e PDK, Kosova sovrane dhe e pavarur. Është në interes të Kosovës që dialogu Kosovë-Serbi të afatizohet, të ketë pritje të matshme, ta nënshkruajmë një marrëveshje dhe të mos blejmë kohë. Arritjet e vonuara të një vendi nuk janë arritje. Nëse Kosova do të anëtarësohet në OKB pas 20 vite të shpalljes së pavarësisë nuk do të ishte ndonjë arritje e mirëfilltë.Nëse marrëveshja nuk është e mirë nuk do të thotë që duhet ta pranojmë. Por dialogu Kosovë-Serbi është si një lloj fundi i historisë së armiqësisë mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”, ka thënë ai.