Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se nuk e votojnë asnjë kandidat të koalicionit aktual qeverisës për president të vendit, duke përfshirë edhe Ramush Haradinajn.
Hoxhaj në Pressing të T7 ka thënë se kjo temë asnjëherë nuk është diskutuar në PDK, ndërsa shton se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit të ri bie mbi partitë që udhëheqin me Qeverinë.
“Do të ishte absurde që ne të votojmë një kandidat të partnerëve të koalicionit, ku një herë e kemi bërë Ramush Haradinajn kryeministër, një herë Isa Mustafën, dhe në vitin 2021 ne ta votojmë një kandidat që do të vijë nga ta. Presidenti është çështje e koalicionit. Ne s’mund t’i japim premtim asnjë personi për votë të presidentit. Nuk ka qenë kjo temë në PDK. Prej kryetarit Veseli rekomandim, sugjerim apo këshill, as sa i përket zgjedhjes së presidentit, as zgjedhjeve të parakohshme. Ne asnjëherë se kemi pasur asnjëherë temë në PDK”, tha ai.