Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një postimi në Twitter sot, ka bërë të ditur se një numër i madh i trupave paramilitare të Serbisë janë duke luftuar në Ukrainë.
Faktin e pjesëmarrjes në numër të madh të grupeve të organizuara paramilitare serbe në luftimet në Ukrainë, Hoxhaj e konsideron si edhe një dëshmi që Serbia është pjesëmarrës aktiv i luftës hibride të Rusisë.
“Numri i madh i paramilitarëve serbë që po luftojnë në Ukrainë është një dëshmi tjetër se Serbia është pjesëmarrëse aktive në luftën hibride të Rusisë”, ka shkruar Hoxhaj.
Për këtë fakt ka reaguar edhe Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandr Aleksandrovych. Ai ka thënë se ajo që serbët po bëjnë në Ukrainë, cilësohet si faktikisht si terrorizëm.
Aleksandrovych, në një intervistë dhënë BIRN’it ka theksuar se e ka ngritur këtë cështje disa herë në qeverinë e Serbisë, si dhe ka bërë presion tek shteti serb që të ndërmarrin masa, mirëpo Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap të vetëm, për shkak të raporteve të ngushta miqësore me Rusinë.
“Asnjë serb nuk është dënuar sic parasheh ligji për ndalimin e pjesëmarrjen në luftrat e huaja. E ftoj qeverinë e Serbisë që t’i përgenjeshtrojë fjalët e mia me fakte”, ka thënë ambasadori ukrainas.
Ambasadori ukrainas ka shkuar edhe më larg duke thënë se Rusia po i trajnon këta mercenarë serbë për të vrarë ukrainasit.
Më tutje, Aleksandrovych ka thënë se Rusisë nuk i intereson fati i Serbisë, dhe se Serbinë po e përdorin vetëm për ta destabilizuar Evropën.
As Ministria e Jashtme e Serbisë, dhe as Ambasada e Rusisë në Serbi nuk kanë dashur t’u përgjigjen pyetjeve të BIRN në lidhje me këtë çështje.



















