Zëvendëskryetari i PDK’së, Enver Hoxhaj thotë se zërat që përpiqen ta identifikojnë koalicionin PDK-AAK-Nisma si krahu i luftës kanë përpjekje për të përhapur një frymë të frikës dhe që janë kundër investimeve në shtetin multietnik të Kosovës.
“Krahu i luftës, apo lufta është vlerë historike e gjithsecilit qytetar. Është një përpjekje me mbjell frikë dhe me përhap frymën e pasigurisë. Ky është vetëm një realitet historik dhe nuk ka të bëjë asgjë me realitetin politik në të cilin jemi. Mbi të gjitha, ky është një realitet që i takon librave të historisë por nuk ka të bëjë asgjë me vitin 2017” ka thënë Hoxhaj.
Kështu ka thënë Hoxhaj, duke komentuar deklarimet e ditëve të fundit pas koalicionit të krijuar ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA’s për Kosovë.
“Se ky koalicion është i krahut të luftës është i pasaktë. Jemi 17 vjet pas lufte. Qeveritë pas lufte kanë treguar se njerëzit e krahut të luftës që kanë fituar lirinë, kanë qenë më paqësorë”.
“Në 2007 PDK i ka fituar zgjedhjet përmes Kuvendit, koalicioni i atëhershëm, kanë vendosë që ta përgatisin shpalljen e Pavarësisë”, tha Hoxhaj në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës.
“Thaçi ka qenë njeri jo vetëm që ka udhëheq negociata në Rambuje. Më sa paku sot ka nevojë për një gjuhë të tilla të nivelit të komunikimit. Çfarë ka ndodhur në këto ditët e fundit është një emancipim dhe kulturë e re politike. Jemi mësuar nga e kaluara që partitë të shkonin të vetme në zgjedhje”, theksoi Hoxhaj.
“Është emancipim politik që liderët kanë vendosur që t’i shtyjnë interesat nacionale. Ky koalicion nuk do ta ketë vetëm këtë mandat, jo vetëm në nivelin qendror, por edhe atë lokal”, tha zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.


















