Kryetari i komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, foli mbi takimin e mbajtur në Tiranë të kryetarëve të Komisioneve të Jashtme të 12 vendeve të Evropës Juglindore.
Ai, i ftuar në një emision në TopChannel, tha se në takim u diskutua kryesisht çështja e integrimit evropian. “Ishte një takim risi, meqenëse deri tani nuk ka pasur bashkëpunim të mirëfilltë parlamentar në kuadër të kësaj organizate. Në krahasim me takimin ku ishin ministrat e jashtëm të vendeve të rajonit para disa javësh, temë e sotme ishte çështja e integrimit evropian”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj është shprehur se Mali i Zi dhe Shqipëria janë dy vendet të cilat janë më afër integrimit në BE, ndërsa sipas tij rruga e integrimit është më e vështirë për shtetet e tjera si Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Bosnja.
Më pas, Hoxhaj ka folur edhe në lidhje me zhvillimet e fundit në Prishtinë, ku së fundi qeveria ka bërë propozimet për ndryshime në Kushtetutë, të cilat do t’i hapin rrugën krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës.
Pandi Gjata: Çfarë efektesh mendoni se do të ketë në Prishtinë nisja nga puna e Gjykatës Speciale të Kosovës?
Enver Hoxhaj: Ky ka qenë një proces që e ka shoqëruar Kosovën në 4 vitet e fundit, që do të thotë se nuk është një lajm i ri. Në vitin 2010 senatori zviceran, Dick Marty, hartoi një raport për gjoja kryerjen e krimeve gjatë luftës, më pas pati një task forcë që u mor me verifikimin e pretendimeve të tij. Si një rezultat i një procesi të tillë është kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë…
Pandi Gjata: Por sensibiliteti më i madh për këtë çështje është bërë gjatë javëve të fundit kur erdhi edhe drafti i përgatitur nga Brukseli…
Enver Hoxhaj: Draftet, propozimet janë objekt i negociatave, por e rëndësishme për ne është që ta përmbyllim një proces të tillë, të trajtohen të gjitha këto propozime, që janë si ‘re të zeza’ mbi imazhin e Kosovës.
Pandi Gjata: A duhet të ketë frikë Kosova, a duhet të kenë frikë ish-pjesëtarët e UÇK-së nga krijimi i kësaj gjykate?
Enver Hoxhaj: Absolutisht jo. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ushtri që e ka çliruar vendin dhe subjekt i kësaj gjykate nuk është lufta apo misioni i kësaj ushtrie, por kjo gjykatë merret me disa pretendime të cilat ne duhet t’i ballafaqojmë. Elita politike në Kosovë ka qenë çdo herë e pjekur dhe e përgjegjshme me qëllim për të kaluar sfida të tilla. Prej fillimit, kur senatori ngriti akuzat, ne kemi qenë të hapur për të bashkëpunuar me çdo organ ndërkombëtar me qëllim që të sqarohen deri në fund këto akuza dhe të shihet pastërtia e luftës sonë.
Pandi Gjata: Ditët e fundit ka pasur edhe akuza nga Haradinaj në lidhje me listën e veteranëve të UÇK-së. Madje ai ka drejtuar edhe akuza të ashpra ndaj zotit Thaçi dhe zotit Çeku që është marrë me hartimin e kësaj liste. A ka vërtetë pasaktësi në përfaqësimin e të gjithë veteranëve të luftës?
Enver Hoxhaj: Zoti Çeku, i cili ka qenë ministër i Forcave të Sigurisë të Kosovës dhe ndër komandantët e parë, gjithashtu edhe komandant i përgjithshëm i UÇK-së, është personi më kompetent që mund të bënte një listë të tillë. Ka procedura të sakta që përcaktojnë veteranët e luftës dhe unë besoj që një gjë e tillë do të sqarohet një herë e përgjithmonë.
Pandi Gjata: Jeni marrë gjatë me lobimin për njohjen e Kosovës. Doja t’iu pyesja se cilat janë sfidat për 2015-ën. A ka tregues për të paktën 3 njohje nga ato 5 vende të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën?
Enver Hoxhaj: Këto 5 vende nuk e kanë njohur Kosovën më shumë për arsye të brendshme të tyre sesa të politikës së jashtme. Deri tani ne kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë edhe me Greqinë edhe me Rumaninë dhe Sllovakinë. Unë isha në Greqi në një vizitë zyrtare në vitin 2012, në Rumani kam qenë dy herë, ndërsa në Sllovaki më shumë se 4 herë. Këto vende përveç faktit që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e kanë bllokuar axhendën tonë evropiane. Megjithatë, nuk mund ta parashikoj nëse këto vende do ta njohin Kosovën gjatë 2015.
Pandi Gjata: Me rëndësi është edhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Në muajt e ardhshëm, cilat do të jenë pikat dhe marrëveshjet, të cilat pritet të nënshkruhen mes dy vendeve?
Enver Hoxhaj: Fokusi kryesor në dialog është sesi të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. Historikisht edhe nga shtete të tjera e kemi parë që është e lehtë të arrihet një marrëveshje në letër, por e vështirë të zbatohet. Fokusi i dytë janë edhe temat me karakter bilateral. Ne mendojmë që çështja e demarkimit të kufirit duhej të ishte një temë e rëndësishme. Në tre vitet e fundit kemi bërë një progres të madh me arritjen e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, ku janë në ndërtim e sipër 6 pika kufitare. Gjithashtu për t’u diskutuar është edhe çështja e pensioneve në ish-Jugosllavi dhe shumë tema të tjera. Ajo që ne synojmë është që dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellët. Mendimi im personal është që në një hapësirë kohore nga 3 deri në 5 vite, Kosova dhe Serbia do të jenë në gjendje t’i zgjidhin të gjitha problemet që kanë.
Pandi Gjata: Si e vlerësoni bashkëqeverisjen mes PDK dhe LDK? A është një qeveri solide që do të mbyllë një mandat 4 vjeçar?
Enver Hoxhaj: Jam i sigurt që do të jetë një qeverisje solide që do të mbyllë një mandat 4 vjeçar. Në krahasim me kulturën politike në Shqipëri, ne kemi një tjetër kulturë politike. Në 15 vitet e fundit ka pasur 3 qeveri që janë udhëhequr nga partitë e mëdha. Pas ngërçit të vitit të kaluar, arritja e një koalicioni të gjerë ishte zgjidhja e duhur. Por përtej stabilitetit politik, ajo për të cilën ka nevojë aktualisht Kosova është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës.