“Qëllimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara mbetet i njëjtë, dhe presidenti Biden dhe sekretari Blinken iu referuan atij sërish në mesazhet e tyre për Ditën e Pavarësisë, hiç më larg se muajin e shkuar, se përfundimisht e shohim këtë proces duke rezultuar në njohje të ndërsjellë”, kështu ka deklaruar ambasadori Hovenier për dialogun Kosovë-Serbi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i ftuar në emisionin Debat Plus me Ermal Pandurin. Foto 1 mars 2023.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se propozimi evropian është lëvizje e rëndësishme në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por është diçka e përkohshme.
Në emisionin “Debat Plus”, Hovenier ka thënë se ani pse ky propozim e bën situatën shumë më të favorshme në procesin e bisedimeve, qëllimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është njohja reciproke që të rezultojë në fund të këtij procesi.
Ai, po ashtu, ka thënë se përkushtimi i ShBA-së në këtë drejtim as nuk është zbehur e as nuk është zvogëluar.
“Dua të them edhe se ky nuk është fundi; kjo nuk është marrëveshja e fundit; nuk mund të jetë. Kjo është pako e përkohshme. Kjo është lëvizje e rëndësishme përpara; sigurisht që e bën situatën shumë më të favorshme. Por, qëllimi ynë afatgjatë, qëllimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara mbetet i njëjtë, dhe presidenti Biden dhe sekretari Blinken iu referuan atij sërish në mesazhet e tyre për Ditën e Pavarësisë, hiç më larg se muajin e shkuar, se përfundimisht e shohim këtë proces duke rezultuar në njohje të ndërsjellë. Nuk po flasim që ajo të ketë në qendër njohjen eventuale të ndërsjellë, sepse ajo reflekton realitetin e gjendjes. Por, përkushtimi ynë ndaj kësaj, assesi nuk është zbehur apo zvogëluar”, ka deklaruar Hovenier.
Hovenier ka thënë se angazhimi ndërkombëtar është i fuqishëm për procesin e bisedimeve, madje siç është shprehur ai, në një nen të propozimit evropian thuhet se ekziston një komision i përbashkët të kryesuar nga BE-ja për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes.
“Keni emisarë të posaçëm që angazhohen në mënyrë aktive që vërtet e shtyjnë këtë çështje përpara dhe do të vërë në pah se njëri nen i referohet një komisioni të përbashkët të kryesuar nga BE-ja për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes”.
Ndër të tjera, ai ka theksuar mbështetjen në këtë proces edhe të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe presidentit të Italisë, Sergio Mattarella.