Hovenier: Presim që Kosova t’i përmbushë idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

E publikuar: 06/07/2023 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në shënimin e Ditës së Pavarësisë së ShBA-së, në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ka theksuar se teksti elokuent i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës është pjesë e premtimit dhe bazë për pavarësinë e saj, ndërsa ShBA-ja dhe partnerët perëndimorë sipas tij, mbështesin Kosovën në realizimin e vizionit të saj demokratik, sovran, laik dhe multietnik

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier gjatë fjalimit të tij në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, më 6 korrik 2023.

Në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka filluar fjalimin e tij me një citim nga Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

Ai citon pjesën e deklaratës ku thuhet: “Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtës së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.

“Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, ka thënë Hovenier, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Megjithatë, ai ka thënë “shpresoj se mund të pajtohemi që ndonjëherë Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.

Ambasadori ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës në konceptimin dhe më pas realizimin e vizionit të pavarësisë së saj, dhe se do të mbeten të palëkundur për të vazhduar këtë mbështetje.

“Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, edhe pse, sipas tij, kërkojnë gjëra të cilat mund të duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë.

Ai ka thënë se kjo mbështetje ndodh në përputhje me përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre.

Ambasadori Hovenier ka shprehur dëshirën për të festuar së bashku me Kosovën për arritjen e pavarësisë së saj të merituar.

Ai gjithashtu vuri në dukje progresin e jashtëzakonshëm që populli i Kosovës ka bërë në këtë periudhë të shkurtër kohore dhe premtimin për përparim të mëtejshëm në dobi të të gjithë popullit të Kosovës.