Jeffrey Hovenier – Kurti
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarë ka folur për gjithë zhvillimet që kanë përshkuar veriun e Republikës së Kosovës. Ai është pyetur nëse si Ambasadë e SHBA-së kanë këshilluar Qeverinë e Kosovës që të mos e ndërmerrte ndonjë nga veprimet si targat, zgjedhjet lokale apo për ndonjë çështje tjetër.
Hovenier ka thënë se sa i përket barrikadave, e kishin këshilluar Kurtin edhe publikisht por edhe privatisht që të mos ndërmerrte ndonjë veprim të shpejt dhe të njëanshëm meqë gjërat do të komplikoheshin. Hovenier thotë se kryeministri Albin Kurti e ka dëgjuar kërkesën e SHBA-së dhe se pas durimit të treguar është gjetur një zgjidhje politike.
“Bazuar në gjitha veprimet e Qeverisë Kurti për situatën në veri, a e keni këshilluar që të mos ngutet me ato veprime, përfshirë targat ose zgjedhjet”, ka qenë pyetja për Hovenier.
“Do të thoja se këshilla ime për Qeverinë e Kosovës është çështje publike. Ne nuk kemi mesazhe sekrete për ta që dallojnë nga ato që i themi publikisht. Nuk është sekret që ne kemi dashur më shumë kohë në zbatimin e vendimit për gjobitje për personat që nuk i kanë ndryshuar targat. Por jemi përtej kësaj tani. Më duhet t’i potencoj disa hapa që i ka bërë Qeveria e Kosovës. Përderisa ne kishim një pikëpamje tjetër të afatit për targat, përfundimisht Qeveria e Kosovës, edhe pse më vonë, por megjithatë u pajtua me atë. Në këtë pikë, Qeveria nuk gjobit njerëzit që nuk i kanë ndryshuar targat dhe as nuk jep vërejtje dhe kjo ishte një përpjekje për të de-eskaluar situatën. Kur barrikadat ndodhën, që ishte një gjë shumë e vështirë dhe SHBA-ja dha një deklaratë jashtëzakonisht të fuqishme, duke iu referuar ashtu siç janë, që ata të cilët kanë vendosur barrikada ilegale në rrugë duhet t’i largojnë ato menjëherë. Ne kemi qenë të qartë për këtë. Gjithashtu, i kemi thënë Qeverisë privatisht dhe publikisht se duam durim, se lëvizja shumë e shpejtë dhe në mënyrë të njëanshme do të komplikonte situatën më shumë se sa ta përmirësonte. Qeveria e dëgjoi këtë. Nga perspektiva jonë kryeministri Kurti dhe Qeveria treguan për durimin që kemi kërkuar derisa ishim duke e zgjidhur këtë. Ne donim një zgjidhje politike për këtë. Kolegu im në Beograd, Ambasadori Hill ishte i qartë në këtë dhe ka të drejtë. Dhe përfundimisht një zgjidhje politike u gjend. U nevojit durim, punë të vështirë por u arrit dhe mendoj se të gjithë mund të pajtohemi se mënyra si janë larguar barrikadat, me disa përjashtime sot, është shumë më e preferueshme sesa përdorimi i forcës që do të mund të rezultonte me njerëz të lënduar ose larg qoftë të vriten. Kështu, unë do të them se ka pasur përgjigje nga Qeveria e Kosovës për disa shqetësime tona dhe ka pasur gjithashtu edhe disa momente që kemi pasur qëndrime shumë të ndryshme për mënyrat më të mira për disa nga këto çështje”, ka thënë Ambasadori i SHBA-së./GazetaExpress/