Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur edhe njëherë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Ai thotë se çështja e përgjegjësisë mbi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk merr fund me deklarimin e ish -nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq.
“Do të thosha që gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerë tjerë është që të vazhdojmë të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës. Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse.”- ka thënë Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë, raporton REL.
I pyetur nëse SHBA-ja ka informacione për planet e grupit të armatosur dhe nëse është përfshirë Beogradi zyrtar në sulme, në ndonjë mënyrë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja është ende duke mësuar më shumë për rastin.
“Kjo gjë merr kohë. Ka qenë një rrethanë e komplikuar dhe do të marrë kohë derisa t’i kuptojmë të gjitha specifikat.”
Megjithatë, Hovenier e ka përsëritur se SHBA-ja beson se sulmi nuk ka qenë spontan dhe grupi ka qenë “i koordinuar dhe sofistikuar”, i cili ka përdorur armë të gradës ushtarake – një pjesë e mirë e të cilave kanë qenë me origjine serbe – me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës./REL