Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar edhe një video në faqen zyrtare në Facebook, ku propagandon dhe sulmon “të tjerët” se për shkatërrimin e vendit për 20 vjet.
Ish-kryeministri, tani deputet i LDK-së, ka theksuar se partia në pushtet i është kthyer propagandës së mashtrimit, shantazhit ndaj atyre që e kundërshtojnë dhe fajësimit të qeverive të mëparshme për mungesën e rezultateve të veta.
“Edhe pas një viti e gjysmë në qeverisje, në vend që partia në pushtet të promovojë rrugë të reja, shkolla e spitale të reja, njohje të reja për shtetin e Kosovës, stadiume sipas standardeve të FIFA-s, furnizim me ujë për fshatrat që ende nuk kanë ujë, investime në sisteme të ujitjes në bujqësi, ajo parti i kthehet propagandës së mashtrimit, shantazhit ndaj atyre që e kundërshtojnë dhe fajësimit të qeverive të mëparshme për mungesën e rezultateve të veta”, ka shkruar Hoti.
Madje, Vetëvendosje e cila ka pushtetin absolut qe më tepër se 18 muaj, në videon propaganduese, krahas liderëve të të gjitha partive “të tjera”, ish-kryeministrave etj. ka futu edhe krerët e sindikatave, që sipas këtij subjekti me grevën e fundit, tentoi që në bashkëpunim me partitë e opozitës ta rrëzojë Qeverinë Kurti.