Hoti u përgjigjet kërcënimeve të Vuçiqit për luftë

E publikuar: 23/11/2020 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i qeverisë së Kosovës Avdullah Hoti ka folur pas deklaratave së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili përmendi një luftë të re nëse dialogu mes dy vendeve nuk ka sukses.

Sipas Hotit Kosova dhe Serbia janë në negociata për paqe dhe se ndryshimi i kufijve s’do të diskutohet kurrë.

“Ne nuk jemi duke negociuar marrëveshje tregtare me Serbinë dhe unë këtë e kam bërë të qartë edhe në takimet që kam pasur me presidentin serb në procesin e dialogut por edhe në tryeza të tjera ndërkombëtare tjera ku jam ballafaquar me të”, tha Hoti.

“Ne po negociojmë një marrëveshje paqeje në mes të dy vendeve që nënkupton pranim i standardeve ndërkombëtare, pranim i aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, marrje përsipër e përgjegjësisë për viktimat e shkaktuara, për të pagjeturit…pra përmbyllje e një kapitulli të rëndësishëm i cili mund të përmbyllet vetëm duke e njohur dhe pranuar realitetin”, tha Hoti.

Vija kufitare në me të dy vendeve nuk është në tavolinë?

“Asnjëherë. S’ka qenë asnjëherë, gjatë kësaj qeverie jo se jo. Ajo temë nuk diskutohet”, tha Hoti për televizionin Klan në Maqedoni.

“Tani ajo që po diskutohet është marrëveshja përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke ku pikë e parë do të jetë njohja reciproke”, tha Hoti.

Vuçiç javë më parë tha se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën, ndërsa për ta ilustruar pasojat që mund të kishte, sipas tij, ai përmendi luftën e zhvilluar në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke thënë se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”.