Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka rrëfyer ngjarjet që sipas tij çuan në prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje në mars të vitit të kaluar.
Hoti ka treguar se çarja e parë ka qenë para Konferencës së Munihut, ku ai dhe kryeministri në atë periudhë Albin Kurti kishin shkuar ndaras.
“Prej ditës së parë s’ka lënë [Kurti] kauzë pa përdor për të bërë një veprime politike që të çojnë ujë në mullirin e Vetëvendosjes. Por ajo është histori tanimë. Kam qenë personalisht i përfshirë në tre muaj negociata me LVV-në. Kam udhëheq pjesën programore dhe kam qenë pjesëmarrjes i arritjes së marrëveshjes Kemi imponuar 90 përqind të programit të LDK-së. Ata kanë lëvizë nga një ekstrem në tjetrin për ta formuar koalicionin”.
“E kam lutur Kurtin që të shkojmë në Konferencën e Munihut. I kam thënë: lëre presidentin, tash ke kompetenca si kryeministër, ke fuqi në Kuvend dhe Qeveri. Dhe aty ka qenë thyerja e parë. Në Munih kemi shkuar veçmas. Thyerja tjetër: pas një muaji ka qenë thyerja tjetër kur kishim përgatitur planin e detajuar për zbatimin e planit qeverisës. Në Prevallë, konstatimi i tyre ka qenë që të obligohen ministrat që të nxjerrin çështje për të çuar në prokurori. Ky është mentalitet i mbrapshtë i qeverisjes”, ka thënë Hoti, njofton Klan Kosova.
Hoti në Rubikon, është shprehur se nuk mund të jepet plan ministrave për të gjetur raste për të çuar në prokurori në mënyrë që me atë të matej performanca e tyre 100 ditore.
“Tjetra ka qenë një vendim që ka qenë në arkivat e Qeverisë të vitit 2013 për NATO-n në veri. Njeri i ekzaltuar se çfarë gjeti aty! Vizita në Washignton – kërkesa që të udhëtojmë në Washington. E kam lutur unë, Isa Mustafa në zyrën e tij i ka thënë: Të marrim përgjegjësi të shkojmë, do të bisedojmë për marrëveshje ekonomike”.
Hoti ka thënë se nëse Kurti vjen që Qeveri, gjë për çka është shprehur se nuk beson se mund të ndodhë, Kosova do të vendnumërojë dhe në politikën e jashtme do të ketë bllokadë totale.