Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti marrëveshjen për normalizim ekonomik me Serbinë po e konsideron si hap të madh drejt marrëveshjes finale, e cila thotë do të përfundojë me njohje reciproke.
Për këtë të fundit, shefi i ekzekutivit tha se nuk ka qenë në draft-marrëveshjen në Uashington dhe se e kanë ditur se po shkojnë vetëm për shtytje përpara të agjendës ekonomike.
Hoti theksoi se kushdo që thotë se kjo e ka cenuar sovranitetin e Kosovës e ka gabim, pasi siç u shpreh normalizimi ekonomik e ka fuqizuar vendin në arenën ndërkombëtare.
“Ne e kemi ditur kur jemi dakorduar të shkojmë në takim, se po shkojmë në takim që është pjesë e përgjithshme të dialogut, por me agjendë ekonomike. Kemi përfunduar me një marrëveshje për normalizim ekonomik mes dy vendeve me disa elemente politike. Pika 10 që referohet në media, nuk qëndron. Kjo është marrëveshje për normalizim ekonomik. Nuk qëndron ajo pikë. Nuk mund të hyjë në detaje të dialogut që kemi pasur në Shtëpinë e Bardhë gjatë ditës së enjte, një ditë para nënshkrimit, por ato nuk qëndrojnë. Nuk besoj që dikush që ka qëndruar në Prishtinë ka pasur më shumë informata se delegacioni që ka qëndruar në Shtëpinë e Bardhë. Për më tepër, zotëri Haradinaj mund të pyesë anëtarin e vet të delegacionit që ka pasur brenda aty dhe mund t’ia sqarojë më tepër”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit foli edhe për ndryshimin e qëndrimet për mini-Shengenin, moratoriumin njëvjeçar për mos aplikim në organizata ndërkombëtare, liqenin e Ujmanit, kritikat e opozitës dhe kryeparlamentares Vjosa Osmani.
Hoti tha se kërkesa për bashkëngjitje në nismën rajonale ka qenë kërkesë ekskluzive e SHBA-së.
“Edhe kur na është shtruar në Uashington, unë kam qenë kundër, por më është kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që të pranojë dhe që Kosova të bëhet pjesë e kësaj iniciative. Tash do të punojmë me ministrat përkatës ndërkohë i bashkohemi kësaj iniciative rajonale, të kujdesemi që në asnjë moment mos të cenohen interesat shtetërore të Kosovës ”, u shpreh Hoti.
Për moratoriumin njëvjeçar për mos anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, kryeministri Hoti tha se vendi nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare pa mbështetjen e SHBA-së dhe se bazën e kësaj marrëveshje ka ardhur njohja e Izraelit.
“Duhet të keni parasysh se asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare s’mund të sigurohet nëse s’e kemi mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve kyçe të BE-së. Ajo që na është kërkuar hajde të ulemi gjatë kësaj periudhe që kemi përpara të mundohemi të punojmë drejtë marrëveshjes finale. Nëse e lexoni me kujdes pikën që lidhet me këtë moratorium është sa i përket aplikimi në organizata ndërkombëtare. Ndërsa është moratorium për Serbinë për të ndaluar fushatën për çnjohje… Për Ujmanin e keni pa pikën e marrëveshjes është e pandryshueshme, çdo deklarim tjetër nuk qëndron. Pika thotë se do të bëhet një studim i fizibilitetit nga Departamenti për energji i SHBA-së në bazë të cilit do të dihet si do të përdoret ky ujë. Uji i këtij liqeni si burim energjie dhe ujitje. Kaq, a mendoni që ky tekst, studimi i fizibilitetit që bëhet nga Amerika e cenon sovranitetin e Kosovës? Veç argumente kështu të paqëndrueshme për politikën vendore”, tha ai.
Ndërsa, kritikat e Lëvizjes Vetëvendosje po i konsideron si vazhdimësi e gabimeve, që siç tha historikisht e kanë pasur gabim. Ndërsa për kryeparlamentaren Vjosa Osmani tha se ajo do ta kuptojë se ka qenë gabim në procese politike.
“Kjo pjesë e opozitës që deklarohet kështu ka qenë historikisht gabim në të gjitha proceset edhe gjatë viteve 90-ta, në Rambuje edhe gjatë dizajnimit të protektoratit, bisedat e Vjenës, të gjitha ka qenë gabim. Kurrë nuk e ka pranuar dhe kuptuar se është gabim, kjo është e vërteta për deklarimet e opozitës që Shtëpinë e Bardhë e quajnë shtëpi të verdhë dhe me ngjyra të ndryshme… Unë jam personi i fundit që dikush mund të më quajnë arrogant, mund të kem të meta të tjera sikur të gjithë njerëzit, por këtë nuk e kam. Tash mund të numëroj 119 deputetë të Kuvendit të Kosovës që le të themi mund të bëjë punën më mirë se kryetarja e Kuvendit, por kjo është krejt relative”, u shpreh Hoti.
Sa i përket kritikave të AAK-së për mos përfaqësim në delegacionin shtetëror në takimet e Brukselit, Hoti tha se ai aty e përfaqëson edhe partinë e Ramush Haradinajt.
Këto komente, Hoti i dha në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në të cilën u miratuan tri projektligje dhe pesë vendime për shpronësimin e pronave të paluajtshme. /E.Zeqiri