Kryeministri Avdullah Hoti ka takuar sot prodhuesit e qumështit, pasi mbrëmë ata paralajmëruan protesta.
Pas këtij takimi Hoti ka thënë se ka arritur një listë dakordimesh lidhur me kërkesat e tyre. Ai u ka bërë thirrje prodhuesve të mos dalin në protestë dhe të mos e hedhin qumështin.
“Problemin në këtë moment e kemi tek përpunuesit sepse janë krijuar stoqe të mëdha dhe kemi probleme te marketet. Sot pas diskutimit u dakorduam që Qeveria të merr përsipër që të subvencionojë prodhimin vendor, përfshirë edhe prodhimin e qumështit në vlerë prej 25 për qind të çmimit të qumështit që është në stok. Në tregtinë e brendshme inspektorati me AVUK do të jenë aktiv për të inspektuar tregun. Ne morëm për obligim që të punojmë me ministrinë e Financave dhe Administratën tatimore që të përgatitet baza ligjore që të njihen humbjet nëse hedhet qumështi”, ka thënë Hoti.