Hoti: Thaçi, Haradinaj e Veseli të kërkojnë që Specialja të jetë sa më efektive

E publikuar: 04/01/2018 11:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje liderëve të vendit që të kenë kujdes dhe të mos e cenojnë miqësinë me shtetet mike rreth tentimit për shfuqizimin e Speciales. Madje, ka theksuar se rreth kësaj nuk duhet eksperimentuar.
Zyrtari i LDK-së, thotë se Thaçi, Haradinaj e Veseli duhet të kërkojnë me ngulm që kjo gjykatë të jetë shumë më efikase dhe që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretendime.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

TË MOS E CENOJMË MIQËSINË ME SHBA, SEPSE ËSHTË JETIKE PËR RRUGËTIMIN E KOSOVËS DREJT INTEGRIMEVE EURO-ATLANTIKE

Jemi në prag të përvjetorit të dhjetë të pavarësisë. Një dekadë si shtet i pavarur duhet të na bëjë më të përgjegjshëm karshi obligimeve ndërkombëtare që kemi marrë me vullnetin e lirë.

Nuk guxojmë të eksperimentojmë dhe të cenojmë miqësitë që kemi me shtetet që na bënë të mundur realizimin e ëndrrave tona për liri e pavarësi.

Tre bartësit e institucioneve të vendit duhet të tregojnë maturi politike shumë më të madhe. Në fund të fundit, duhet të tregojmë para shteteve mike se nuk i druhemi drejtësisë ndërkombëtare dhe në fakt duhet të kërkojmë me ngulm që kjo gjykatë të jetë shumë më efikase që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretenduar.

Departamenti Amerikan i Shtetit në deklaratën e fundit ka qenë shumë i qartë në kërkesën që ka ndaj institucioneve të Kosovës dhe spektrit politik kosovar. Pres që të gjitha forcat politike të reflektojnë në këtë drejtim dhe t’i bashkohen LDK-së në ruajtjen e miqësisë me SHBA-të.

Për LDK-në, ruajtja e miqësisë së përhershme me SHBA-të është esenciale dhe jetike për rrugëtimin e sigurt të shtetit të Kosovës drejt strukturave euro-atlantike. Rrugë tjetër nuk ka./gazetaexpress.com/