Ish-kryeministri Avdullah Hoti i ka quajtur farsë takimet publike për buxhetin e vitit 2023, të cilat Qeveria Kurti ka filluar sot t’i mbajë nëpër qytete.
Hoti ka theksuar në një postim në Facebook se konsultimet për buxhet zakonisht mbahen para përgatitjes së buxhetit.
Më pas deputeti i LDK-së ka radhitur disa nga dështimet e kësaj qeverie që kanë ndikuar në buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Konsultime për buxhet do të duhej të mbaheshin me biznese për mosrealizimin e investimeve kapitale”, ka shkruar ai.
“Konsultime do të duhej të mbaheshin me Kryetarët e Komunave për nevojat e tyre, të cilëve Qeveria po tenton tua marrë buxhetin nga të hyrat vetanake të viteve paraprake. Para përgatitjes së buxhetit do duhej të bisedohej me organizata buxhetore, të cilat për shkak të shkurtimeve buxhetore nuk kanë mundësi të ofrojnë shërbimet për të cilat janë të mandatuar, siç është rasti i RTK-së apo i universiteteve publike”.
“Si do të arsyetohet Kryeministri para qytetarëve për afër 700 mil euro që i mban në bankë pa nevojë, e nuk i rritë pagat e policëve, të mjekëve, të arsimtarëve, të shërbyesve civil etj., të cilëve u janë zvogëluar pagat për 20% për shkak të inflacionit?!”, ka theksuar Hoti.
“Si do të arsyetohet Ministri i Financave për 276 mil euro apo 9% e buxhetit total për 2023, të cilën shumë e mban të pashpërndarë në projekte, që është sa dyfishi i buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes?!”
S”i do të arsyetohen qeveritarët që sivjet nuk i realizuan projektet kapitale – as projektet në vazhdim e as të rejat që ishin projekte që vetë i planifikuan?!”, përfundon shkrimi i ish-kryeministrit Hoti.