Hoti: Do ta luftojmë korrupsionin

E publikuar: 24/05/2017 16:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën në Gjilan se do të jetë i pa kompromis për luftimin e korrupsionit, ashtu siç ka dëshmuar në dy vite e gjysmë qeverisje.

“Nuk ka prioritet më të madh të shtetit dhe qytetarëve sesa krijimi i vendeve të reja të punës, krijimi i të ardhurave, stabiliteti i nevojshëm, sundimi i rendit dhe ligjit dhe lufta e pa kompromis kundër korrupsionit, ashtu siç e kemi dëshmuar gjatë këtyre viteve. Do t’i plotësojmë të gjitha kushtet për integrim në familjen evropiane, në BE dhe në NATO”, ka thënë Hoti, gjatë një takimi që ka zhvilluar me fermerët e Gjilanit, ku shoqërohej nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Hoti ka thënë se do të jetë i ashpër edhe ndaj atyre që kanë keqpërdorur fondet e dedikuara për sektorin e bujqësisë dhe se do të bëjë një reformë në menaxhimin e subvencioneve në fushën e bujqësisë, ku rolin primar do ta ketë pushteti lokal.

Më tej ai ka paralajmëruar edhe miratimin e një ligji që do t’i kompensojë dëmet që ndodhin në bujqësi, ndërsa ka shtuar se duke filluar nga janari 2018 qeveria që ai do të drejtojë pas zgjedhjeve do t’i trefishojë subvencionet për sektorin e bujqësisë.