Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti konsideron se nëse përmbyllet çështja e demarkacionit Qeveria do të duhej të kërkonte falje për vonesën 3 vjeçare. Ky konstatim ka ardhur pasi në media po raportohet se në Kuvend shumë shpejt do të procedohet një version i pranueshëm për demarkacionin. Momentalisht personi që po kërkon zgjidhje për përmbylljen e kësaj çështje është zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj.
Hoti mendon se kjo ‘zgjidhje’ është ratifikimi i marrëveshjes së vitit 2015. Sipas tij qeveria do të duhej të kërkonte falje për vonesën 3 vjeçare të liberalizimit të vizave, djegies së institucioneve dhe dëmtimit të imazhit publik të Kosovës.
Ish-kandidati i LDK-së për kryeministër të vendit, Avdullah Hoti thotë se në përfundim të afatit për ratifikimin e demarkacionit, në mënyrë që kosovarët të lëvizin lirshëm në BE, nga Qeveria paralajmërohet gjetja e një ‘zgjidhjeje’.
“Është e qartë se me këtë ‘zgjidhje’ zyrtarët e Qeverisë ju referohen neneve të marrëveshjes së vitit 2015, të cilët garantojnë rishikimin e saj në rast se paraqiten fakte të reja”, shkruan ai, transmeton Express.
Ai ka bërë të ditur qëndrimin e LDK-së për demarkacionin duke thënë se LDK do ta votojë këtë marrëveshje.
Ndërsa pas përmbylljes së kësaj çështje Hoti thotë se qeveria duhet ta dorëzojë pushtetin tek sovrani, i cili me një votim të ri do të vendosë se kush duhet ta udhëheq Kosovën drejt të ardhmes evropiane.
“Koalicioni ekzistues qeverisës ka ardhur në pushtet për të marrë ‘vendime të mëdha’. Duket se i vetmi vendim i madh që ju ka mbetur të marrin është ‘kërkimi i faljes’ ndaj qytetarëve për dëmin që ju kanë shkaktuar. Sigurisht se për këtë vendim të madh të kërkim faljes duhet shumë guxim qytetar dhe intelektual”, ka përfunduar ai.


















