Kryeministri Avdullah Hoti kritikat e Lëvizjes Vetëvendosje në adresë të tij i ka quajtur sharje ndaj qeverisë që ai drejton.
Ai në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit Rexhep Selimi se në Uashington kishte shkuar për zhbërjen e kufijve dhe ndarjen e Ujmanit.
I pari i qeverisë tha se do të propozojë një pikë të rendit të ditës në Kuvend, ku Lëvizja Vetëvendosje ‘vetëm do të shajë’, e pas kësaj ata do t’i kthehen debatit serioz.
“E kam një propozim në fakt edhe këtë seancë, unë i propozoj Kuvendit të ketë një pikë të rendit të ditës në fillim ku i keni sharjet për kryeministrin, dhe kur e kryejmë atë pjesë, do të hyjmë mandej bisedojmë seriozisht. Rexhë, unë këtu jam po të dëgjoj edhe juve, edhe deputeten para jush. 90 për qind, Rexhë, e keni fjalimin epitete të ndryshme si të shani Qeverinë. Hajde, po i kthehemi fjalimit të juaj e po e dëgjojmë edhe një herë. Beso se është ashtu dhe nuk është hera e parë. Unë propozoj ta kemi një pikë ku ju e shani kryeministrin dhe mandej ia nisim me punua edhe bëjmë debat”, tha ai.
Kryeministri Hoti tha se parimet e dialogut janë jo shkëmbime territoriale, jo Bosnjëzim të Kosovës, por marrëveshje vetëm për njohje reciproke.
Ai ka komentuar edhe pesë ftesat për interpelancë nga deputetët e LVV-së ku tha se janë për të njëjtën temë, derisa u tha deputetëve të kësaj partie e para tyre do të jetë edhe për tri vjet.
“Rexhë edhe 100 herë nëse vjen këtu, të njëjtën gjë do të ta them, se dialogu zhvillohet veç për njohje reciproke. Unë në këtë Kuvend nuk kam me sjellë marrëveshje tjetër përveç marrëveshje për njohje reciproke, nëse mbërrij ta bëj, nëse nuk mbërrij ta bëj, Kosova edhe Serbia do të vazhdojnë si dy vende që s’e njohin njëra-tjetrën, por që janë fqinjë, kaq. Por, marrëveshje prej meje në këtë Kuvend nuk do të vij, parimet 100 herë i kam përsëritur edhe 100 herë nëse më ftoni në interpelancë të njëjtën gjë do ta them. I kam pranuar pesë kërkesa për interpelancë nga grupi juaj parlamentar i LVV-së, shumë mirë veç merruni vesh mes vete se të pestat janë me të njëjtën temë. Nuk e di a keni komunikuar në mes vete, për të njëjtën temë seriozisht. Para jush kam me qenë edhe tri vjet!”, tha ai.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi, tha se Hoti kishte premtuar njohje reciproke e vetëm atë nuk e solli.
“Për katër herë njëjtë ishe, të kanë mbetur edhe 96 herë të vish njëjtë. Por, çka pësojmë ne nga këto 100 herët e tua nëse i konvertojmë këto 100 herët e tua ta zëmë vetëm me 4 veprime që i ke bërë ti për një udhëtim atje, paramendojeni sa veprime do të kishim. Por, çka na solle kësaj here, a the që po shkojmë për njohje reciproke edhe vetëm për njohje reciproke dhe asgjë tjetër nuk bisedojmë, çka solle z.Hoti? E solle atë që po e quani mini-Shengen, e solle barazimin e të pagjeturve me të zhvendosurit, gabim katastrofal, e solle nismën për ndarjen e Ujmanit, solle atë që daljen e Serbisë në Adriatik dhe jo vetëm kaq. Prandaj, unë po pajtohem me ju që edhe 100 herë sikur të vish këtu, do të jesh njëjtë, por kam përshtypjen që Kosova nuk do të jetë njëjtë. Sa i përket asaj që po konsideroni si sharje, unë dhe grupi im parlamentar as nuk e bëjmë atë as nuk e kemi qëllim, por në anën tjetër nuk duhet të jemi të fyer… më të fyer jemi ne kësaj radhe sesa ju z.Hoti”, tha ai. /M.Duraku/