Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se veprimet të pakoordinuara të Qeverisë me partnerët strategjikë të Kosovës, e kanë sjellë situatën në të cilën gjendet veriu i Kosovës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Hoti ka thënë se veprimet e Beogradit kanë pasur për qëllim bllokimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale. Dhe sipas tij, institucionet kanë rënë pre e grackës së Serbisë, teksa shton se Kosova aktualisht është në diasavantazh.
Hoti ka folur edhe për dëmet që po i shkakton Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke thënë se me këto veprime nuk po bisedohet më për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Deputeti i LDK-së, ka pasur kritika edhe në adresim të çështjes së veriut, duke thënë se barrikadat nuk janë trajtuar seriozisht nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Fatkeqësisht komuniteti serb në Kosovë është duke u përdorë nga Beogradi si instrument politik për të bllokuar procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vende. Për fat keq edhe veprimet që janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk kanë ndihmuar në këtë drejtim sepse historikisht nëse shihet, ne gjithmonë kemi bërë dialog me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi koordinuar veprimet tona me ta”.
“Është e qartë që veprimet që janë ndërmarrë edhe pse të drejta në aspektin Kushtetues dhe ligjor, duket që nuk janë koordinuar me partnerët tanë ndërkombëtare dhe praktikisht në një mënyrë Qeveria e Kosovës ka rënë pre e një gracke të krijuar nga Beogradi, duke përdorur fatkeqësisht serbët lokalë dhe familjet në veri të vendit dhe duke bërë presion përmes strukturave kriminale në atë pjesë”.
Deputeti i LDK-së, ka thënë se në pozicionin në të cilën gjendet Kosova, nuk mund t’i vendosësh ultimatum. Ai kërkon koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtarë.
“Edhe pozicioni i Kosovës për barrikadat në veri të vendit është për keqardhje. U bën sa javë ato barrikada, nuk shihen veprime konkrete dhe koordinuese me partnerët tanë ndërkombëtarë por dalin qesharak me ato ultimatume që ia japin KFOR-it. Ajo që duhet të bëhet është se duhet të ketë koordinim të plotë me partnerët tjerë që e garantojnë sigurinë e Kosovës, në mënyrë që ato barrikadat të hiqen sa më parë”, u shpreh Hoti.
Ish-kreu i Qeverisë, thotë se me veprimet e kryeministrin Albin Kurti, marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke është hequr nga tavolina e bisedimeve. Thotë se aktualisht, askush nuk flet për marrëveshje, shkaku i situatës së krijuar në veri.
“Politika e Serbisë karshi Kosovës është e njëjta tash e 20 vite, por veprimet e Kosovës kanë qenë të kujdesshme të dakorduara me partnerët ndërkombëtar. Një politikan që është i përgjegjshëm, që është vizionar dhe që i parasheh pasojat e veprimeve të veta, përtej mandatit të tij, nuk i ndërmerr këto veprime. Nuk ka pasur logjikë që të imponoheshin targat e veturave e një javë pas të shtyhej vendimi për zbatim në pafundësi. Nuk insistohet me çdo kusht të mbahen zgjedhjet, e mandej papritmas i shtynë zgjedhjet për në prill (2023)”, u shpreh Hoti, teksa shtoi se mungesa e koordinimit me partnerët ndërkombëtar, e kanë nxjerrë Kosovën në defensivë.
“Tash duhet të bisedohet e të gjendjen forma për heqjen e barrikadave dhe për normalizimin e jetës në atë pjesë të vendit, dhe jo për negociuar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke. Sot askush nuk bisedon për njohje reciproke, sot kërkesa e partnerëve tanë është me ruajt paqen dhe për të marrë veprime të kujdesshme në terren e të mos nxitet ndonjë reagim. Sigurisht se ne duhet të jemi të vendosur në veprimet tona, por para se të gjithash, thirrja e partnerëve tanë është në këtë drejtim. Një situatë që i ka konvenuar Serbisë para se të gjithash, e jo Kosovës”, u shpreh Hoti për EO.