Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se Kosova s’e pranon kushtëzimin për anëtarësim në Këshill të Evropës në këmbim të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Hoti i ka bërë një përmbledhje veprimeve dhe vendimeve të Qeverisë Kurt lidhur me procesin e negociatave dhe të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Deputeti i LDK-së ka shkruar se Qeveria Kurti i ka bërë dëm të madh dhe afatgjatë procesit të integrimit euro-atlantik të vendit dhe e ka kurthuar Kosovën në një marrëveshje pa njohje dhe që e liron Serbinë nga një obligim i tillë në rrugën drejt BE-së.
Reagimi i plotë:
– Qeveria aktuale në fillim të mandatit e braktisi dialogun për njohje reciproke, të nisur në qeverinë paraprake me mbështetje të aleatëve.
– Vendosi kushte për dialog, të cilat nuk u morën parasysh as nga ndërmjetësi i BE-së, e as nga aleatët.
– E nisi dialogun pa kushte.
– E pranoi marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, e cila në qendër nuk e ka njohje reciproke, por i ka garancitë për vetë-menaxhim për komunitetin serb dhe kishën ortodokse serbe.
– Në nëntor 2023, e pranoi nga BE-ja draft-statutin e asociacionit, të cilin nuk e refuzoi.
– Tani çuditet pse dërgimi i atij drafti në Gjykatën Kushtetuese po i vendoset si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kjo qeveri i ka bërë dëm të madh dhe afatgjatë integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke na kurthuar në një marrëveshje që nuk parasheh njohjen, që e liron Serbinë nga ky obligim në progresin e saj drejt BE-së.