Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta plotësojnë njëra-tjetrën, kur është në pyetje dialogu Kosovë-Serbi.
“Kur është në pyetje roli i Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në këtë proces, ato duhet ta plotësojnë njëra-tjetrën. Ashtu si ka qenë edhe në të kaluarën, gjatë fazave të ndryshme të shtetësisë së Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë, vetëm kur kemi pasur bashkëpunim të ngushtë midis BE-së dhe SHBA-së, kemi pasur rezultate të qarta dhe konkrete dhe s’duhet të jetë ndryshe as këtë herë”, ka thënë ai në një intervistë për Associated Press.
Ai në këtë intervistë e ka përsëritur qëndrimin se bisedimet me Serbinë duhet të finalizohen me njohje reciproke.
Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë mbajtur video-konferencë të organizuar nga shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, me qëllim të ringjalljes së dialogut, të ndërprerë që nga nëntori i 2018-tës.
Ata takohen në Bruksel, të enjten.
“Po hyjmë në këtë fazë përfundimtare të dialogut, me qëllim të arritjes së njohjes reciproke dhe normalizimit të raporteve midis shteteve tona dhe ky ishte qëndrimi që paraqita”, ka thënë Hoti.