Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, është takuar sot me përfaqësues të bizneseve në Prizren. I pari i ekzekutivit “paralajmëroi” bizneset vendore të përgatiten për bashkëpunim me kompani amerikane.
Sipas Hotit, Lidhja Demokratike e Kosovës, në katër vitet e ardhshme do të arrijë të investojë 1 miliard dollar në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit.
“Është bërë shumë zhurmë për këtë marrëveshje, dhe krejt kjo për qëllime politike. E vërteta është se Marrëveshja e Uashingtonit, e fuqizon Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik. Katër vitet e ardhshme i sjellin Kosovës rreth 1 miliard dollar nga kompanitë amerikane në bashkëpunim me kompanitë vendore dhe ju duhet të përgatiteni për këto projekte, siç janë hekurudha nga Durrësi në Prishtinë si dhe autostrada”, tha kryeministri Hoti.
Sipas kryeministrit në detyrë, Qeveria Hoti nuk i ndërron politikat e saj “çdo natë” dhe, kësisoj, do të zhvillojë sektorin privat.
“Ju duhet të jeni të sigurt që keni para vetes një qeveri që nuk i ndërron politikat e veta çdo natë, nuk iu bie bizneseve në qafë dhe mbi të gjitha është qeveri e qendrës së djathtë që nënkupton se e mbështetë biznesin privat. Është jetike për Kosovën që të ruhet kursi i politikave ekonomike të djathta, pasi vetëm në këtë mënyrë zhvillohet sektori privat. Ne nuk guxojmë të kthehemi prapa”, tha Hoti
Hoti tha se në planin qeverisë janë paraparë ndërtimi i rrugës për Prevallë, diga ne Vërmicë si pjesë e planeve për menaxhimin e ujërave si dhe krijimi i një ligji për të mbrojtur prodhimet artizanale.