Hoti numëron arsyet pse duhet të miratohet tërheqja e Trustit: S’është zgjidhje e duhur, por e vetmja në dispozicion

E publikuar: 19/01/2023 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka dhënë dy arsyet se pse duhet të miratohet projektligji i cili u mundëson qytetarëve tërheqjen e 30 përqindëshit të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Ai tha se tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk është zgjidhje e mirë, por se s’ka tjetër, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se arsyeja e parë është se vitit 2022 ka qenë më i vështiri për qytetarët e Kosovës dhe se Qeveria nuk ka marrë masa substanciale për ta përballuar krizën.

“Dy arsye madhore se pse na duhet ky projektligj është se vitit 2022 ka qenë viti më i rëndë për qytetarët e Kosovës dhe e dyta për shkaka se ka pasur disa masa periferike dhe josubstaciale për të ndihmuar qytetarët në përballimin e krizës ekonomike”.

“Me gjithë këto kriza dhe kur mbështetja e Qeverisë mungon është e natyrshme që opozita të propozojë masa siç është tërheqja e kursimeve pensionale nga Trusti. Kjo nuk është zgjidhja e duhur. Gjithkush e ka të qartë që s’mund të kalohet kriza ekonomike dhe sociale me tërheqjen e mjeteve të Trustit pensional. Por, është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve”.

“Nuk ka pasë intervenim të fuqishëm të Qeverisë për të mbrojtur familjet që janë prekur nga inflacioni. Kriza energjetike na është imponuar por është menaxhuar në mënyrë kaotike nga Qeveria. Qeveria çdo 60 ditë shpall gjendje emergjente, por pa asnjë efekt”.