Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se e ndan ‘shqetësimin’ me profesorin amerikan, Daniel Serwer. Ky i fundit tha për Gazetën Express se Kurti “i ka idetë e tij për atë që do ta bëjë, shpresoj që ai është i përgatitur të përballojë çfarëdo që ndodh”.
Ai tha se problemi është se pasojat bien mbi “përpjekjet tona, paqësore e luftarake”.
“E lexova shqetësimin e Daniel Serverit se: “Kryeministri i Kosovës e ka idenë se çfarë do dhe shpreson se ai do t’i përballojë pasojat”. Unë e ndaj shqetësimin e tij. Por problemi është se pasojat bien mbi përpjekjet tona, paqësore e luftarake, dhe rezultatet që kemi arritur deri tani në fuqizim, konsolidim e anëtarësim e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Hotit:
Kur aleatët nuk na mbështesin, pasojat nuk i bartin vetëm ata në krye të institucioneve. Pasojat i bartim të gjithë.
E lexova shqetësimin e Daniel Serverit se: “Kryeministri i Kosovës e ka idenë se çfarë do dhe shpreson se ai do t’i përballojë pasojat”. Unë e ndaj shqetësimin e tij. Por problemi është se pasojat bien mbi përpjekjet tona, paqësore e luftarake, dhe rezultatet që kemi arritur deri tani në fuqizim, konsolidim e anëtarësim e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.
Sigurisht se na duhet konsensus nacional për veprimet që ndërmerren në përballje me situatën e krijuar. Por nuk mund dhe nuk duhet të rreshtohemi prapa atyre që nuk kanë ide si do të menaxhohet dhe përmbyllet në interesin e Kosovës kjo situatë komplekse politike dhe e sigurisë.
Sigurisht se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë. Por kësaj radhe, për shkak se nuk i morëm parasysh këshillat e aleatëve, Kosova ka rënë në grackën e Serbisë.