Avdullah Hoti Qeverinë “Haradinaj” po e quan si më të brishtën që nga shpallja e pavarësisë. Thotë se luftimi i korrupsionit, si kusht për liberalizim të vizave, është kthyer prapë nga Bashkimi Evropian, derisa, sipas tij, ky kusht ishte hequr në kohën kur udhëhiqte Mustafa.
Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se Kosova ka Qeverinë më të dobët dhe më të brishtë që nga shpallja e pavarësisë, transmeton Express.
Mënyra, sipas tij, si është themeluar koalicioni qeverisës e determinon progresin e dobët të kësaj qeverie.
“Me këtë përbërje që ka Qeveria, asnjë projekt madhor nuk mund të shtyjë përpara. Presioni nga partnerët e vegjël të koalicionit është e natyrshme që e bën Qeverinë jofunksionale.
Këto 100 ditë të qeverisjes njihen vetëm për numrin enorm të zëvendësministrave, gati nga një në ditë i emëruar, dhe nuk dihet kur do të përfundojë”, ka shkruar ai.
Hoti thekson se ata nuk e kanë parë asnjë nismë madhore legjislative që ka nisur kjo Qeveri. Vendi siç shkruan ai, po shënon stagnim.
Ndër tjerash, Hoti thekson se luftimi i korrupsionit, si kusht për liberalizim të vizave, është kthyer prapë nga Bashkimi Evropian.
Ky kusht ishte hequr gjatë Qeverisë “Mustafa” pasi konsiderohej se Qeveria kishte treguar përkushtim serioz në luftimin e kësaj dukurie gangrenë për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.















