Hoti: Ky vit do të përmbyllet me liberalizim të vizave

E publikuar: 05/02/2021 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një tubim në Dragash në kuadër të fushatës nga ku premtoi se do të mbështesë këtë komunë në rast se i fiton zgjedhjet më 14 shkurt, njofton Klan Kosova.

Përveç kësaj, Hoti premtoi se ushtria e Kosovës do të jetë pjesë e ushtrisë amerikane me misione paqeruajtëse dhe viti do të përmbyllet me liberalizim të vizave.

“Kur e kemi marrë qeverinë e kemi gjetur shtetin të bllokuar, me sanksione nga Amerika dhe në fund të vitit pas gjashtë muajve, ne e kemi mbyllur vitin me një vendim të madh që ushtria e Kosovës me qenë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse. Këtë fat e kemi pasur ne njerëzit e LDK-së me e përmbyll një vizion 30 vjeçar”.

“Nuk ka qenë e lehtë më i hapë gjithë ato dyer që i kemi gjetur të mbyllura por tash jemi para proceseve të tjera. Vizionin për katër vitet e ardhshme. I ftoi kandidatët tjerë ta bëjnë të njëjtën gjë. Të dalin në debate, të përballemi me njëri-tjetrin, por është e pamundur. Asnjëri prej tyre s’ka guxim me u ul në tavolinë dhe me na dëgju dhe pastaj qytetarët me vendos me mendje të vet më 14 shkurt”.

Sipas Hotit, kandidatët e tjerë nuk kanë çfarë të ofrojnë pasi siç thotë ai, nuk kanë program, vizion e as ide.

“Tani është e qartë që këta nuk kanë çfarë të ofrojnë. As program, vizion e as ide. Njëri prej këtyre të kuqve, kur e pyetën çka do bësh ti, tha do t’i anuloj disa vendime të Hotit. Këtij nuk do t’i vijë rendi kurrë më me qeverisë. Një herë ne ia kemi dhënë rendin, LDK ia dha mundësinë dhe për 52 ditë e shkeli kushtetutën dy herë”.

“Nuk ka kush që i lëviz vendimet tona, nuk ka kush që i lëviz vendimet për t’i ndihmuar qytetarët, për të vendosur rregull, rend dhe disiplinë, të luftojmë korrupsionin, krimin. I njëjti brumë janë ata, të gjithë janë njësoj. Në këto zgjedhje janë dy opsione, LDK dhe vizioni i saj dhe këta të tjerët që nuk ofrojnë asgjë. Një listë me njerëz me ekstremizmat e mundshme e telashe, plot hipoteka të të kaluarës”.

“Tash kemi plane të rëndësishme dhe të fuqishme, për të fuqizuar ekonominë, qytetarët, marrëdhëniet me ShBA. Do punojmë shumë që të mbështesim blegtorinë në veçanti, programi jonë i bujqësisë është i jashtëzakonshëm, kemi dyfishuar subvencionet për bujqësi dhe blegtori. Do ta mbështesim turizmin malor. Kemi me i mbështet qendrat e skijimit. Ky regjion me disa vite me projektet që kemi për këtë zonë dhe zonat e ngjashme”.

Ndër të tjerash, Hoti u shpreh i bindur se këtë vit do të përmbyllet me liberalizimin e vizave.

“Kemi me përmbyll këtë vit me liberalizim të vizave, jam i bindur. Ne jemi duke punuar me vendet e BE-së me qeveritë e tyre duke i bindur që ne jemi ata që e fuqizojmë ligjin, ata që e luftojnë korrupsionin. Jemi njerëz që kemi vizion të qartë, njerëz që i nënshtrohemi vetëm ligjit dhe kushtetutës. Me besimin në Zot, pa ndërtuar kule, pa iu nënshtruar individit por duke iu nënshtruar ligjit, kushtetutës dhe vizionit kah duhet të shkojë ky vend. Jam i privilegjuar që i prijë një liste të jashtëzakonshme të burrave dhe grave në listë”, tha Hoti.