Hoti: Kurtin e rrëzuam pasi refuzoi të shkonte në Shtëpinë e Bardhë për Marrëveshjen e Washingtonit

E publikuar: 18/01/2025 19:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020 nuk është zbatuar për shkak të orientimit joperëndimor të qeverisë aktuale.

Hoti tha se takimi me presidentin Donald Trump atë ditë ka qenë i shkurtër, por se kanë punuar bashkë me ekipin e tij që nga dita që e kanë marrë detyrën për ta përgatitur marrëveshjen.

Ai madje tha se qeverinë e formuar me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë rrëzuar për shkak se kryeministri aktual, Albin Kurti, ka refuzuar që të shkojë në Shtëpinë e Bardhë dhe ta nënshkruajë Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Bile, qeverinë e parë që e kemi pasur me këta që tash janë në qeveri, ne e kemi rrëzuar për këto arsye, për shkak të refuzimit të kryeministrit aktual të Kosovës që të shkojë në Shtëpinë e Bardhë dhe ta nënshkruajë këtë marrëveshje”.

“Ndërkohë që procesi i dialogut zhvillohej në Bruksel për marrëveshje përfundimtare, për njohje reciproke, administrata amerikane dëshironte t’i jepte një shtytje arritjes së marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke duke i shtyrë të dyja vendet në bashkëpunim më intensiv në aspektin ekonomik”, tha Hoti në Klan Kosova.

Më tej, Hoti tha se në Marrëveshjen e Uashingtonit kanë futur edhe elemente politike, siç është njohja nga Izraeli, e që është e vetmja në katër vitet e fundit.

“Aty kemi futur mandej edhe elemente politike, siç është njohja nga Izraeli për të dhënë mesazhin e qartë nga Shtëpia e Bardhë se shteti i Kosovës është këtu dhe do të marrë njohje ndërkombëtare dhe do të përgatitet për integrim të plotë në institucionet ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ai.