Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të premten në Ferizaj se Kosova po prin në rajon me rimëkëmbjen e shpejt ekonomike, si rezultat i menaxhimit me sukses të pandemisë.
Kryeministri Hoti tha se ndryshe prej oponentëve tanë, të cilët për interesa të tyre personale e partiake e izoluan Kosovën, Qeveria e drejtuar nga LDK-ja, si pjesë e Partive Popullore Evropiane, i ka të hapura të gjitha dyert në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo në vendet demokratike.
Ai shpalosi programin e tij për zhvillim ekonomik dhe tejkalim të pasojave të pandemisë. Me këtë rast Hoti falënderoi diasporën kosovare të cilët me remitencat e tyre, jo vetëm që ndihmuan familjet, por edhe ekonominë e Kosovës për të kaluar më shpejt dhe më lehtë pasojat e pandemisë.
“Zhvillimi ekonomik do të mbështetet në sektorin privat, i cili është bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Do të punohet në krijimin e kushteve për punësim të qëndrueshëm dhe dinjitoz, duke promovuar konkurrencën e lirë, me rol të kufizuar të shtetit në ekonomi, kryesisht si lehtësues e rregullator i zhvillimit ekonomik, bazuar në prioritetet nacionale zhvillimore, me kujdes të veçantë ndaj mjedisit, për ta ruajtuar atë edhe për brezat e ardhshëm”, tha Hoti.
Kandidati i LDK-së për kryeministër shtoi se Kosova e ka të domosdoshme përgatitjen e një orientimi të qartë strategjik afatgjatë të zhvillimit, ku vendosen prioritetet zhvillimore dhe kornizat e politikave ekonomike, fiskale e buxhetore dhe të borxhit publik, që tejkalojnë një mandat qeverisës.
“Një dokument i tillë do të shërbejë si një Kod Ekonomik, i cili përmban parimet për politikat ekonomike dhe shërben si kornizë e legjislacionit të fushës së ekonomisë dhe të procedurave që zbatohen për mbështetje të zhvillimit ekonomik. Një qasje e tillë siguron gjithëpërfshirje dhe integrim në zhvillim me efekte sinergjie”, tha kryeministri Hoti.
Ai tha se për Ferizajn, në buxhetin e këtij viti dhe të vitit të ardhshëm janë paraparë 35 milionë projekte të ndryshme, duke përfshirë impiantin për ujëra të zeza, unazën e jashtme në segment Prelez-Jerlive deri në Nerodime, rrugën për Kashtanjevë, nënkalimin për vetura në Ferizaj, renovimin e stadiumit të qytetit, renovimin e shkollës së mesme të ulët, shkollën profesionale dhe plot projekte të tjera.
Kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Sfarqa tha se LDK-ja e ka kulturën politike, kandidatin më të mirë për kryeministër dhe kandidatët më eminentë për deputetë për t’i dalë zot Kosovës në këto kohë të vështira.