Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka deklaruar se hyrja e xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës në fillim të këtij muaji, nuk do të përsëritet më në të ardhmen, pasi për këtë ka marrë garanci dhe siguri nga NATO dhe KFOR-i.
Ai në DebatPlus të TV Dukagjinit ka thënë se lidhur me këtë ka pasur bisedime me zyrtarët e lartë të NATO-s dhe KFOR-it, nga të cilët ka marrë garanci se nuk do të ketë hyrje të tjera të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës.
“Jam i bindur se kjo ishte hera e fundit që xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës”, është shprehur Hoti.