Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti deklaroi sot se kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të caktohet nga partia dhe jo në studio televizive apo rrjete sociale.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një postim në Facebook ka shkruar se LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik.
“LDK-ja nuk është perfekte, por është vlerë për Kosovën. Dhe do ta fitojë edhe këtë sfidë, jo për veten e saj, por për Kosovën. Është obligim i LDK-së që gjeneratat e reja të zhvillohen duke u mësuar me tolerancën dhe demokracinë, me vlera njerëzore dhe evropiane, e jo me antivlera, militantizëm, dhunë dhe autokraci”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Kandidati për Kryeministër i LDK-së caktohen nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale.
LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik, që e ruan kursin e zhvillimit demokratik dhe euro-integrues të Kosovës.
LDK-ja i ka mbijetuar kohës së represionit serb, duke organizuar institucionet e Republikës së Kosovës.
LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës.
LDK-ja tash e ka sfidën e radhës, për të mos e lënë shtetin e Kosovës të rrëshqasë drejt autokracisë, izolimit dhe regresit.
LDK-ja nuk është perfekte, por është vlerë për Kosovën. Dhe do ta fitojë edhe këtë sfidë, jo për veten e saj, por për Kosovën.
Është obligim i LDK-së që gjeneratat e reja të zhvillohen duke u mësuar me tolerancën dhe demokracinë, me vlera njerëzore dhe evropiane, e jo me antivlera, militantizëm, dhunë dhe autokraci.