Hoti: Integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit

E publikuar: 16/11/2020 14:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës, ku u diskutua kryesisht për nevojën për mobilizim të ri në botën digjitale, sfidat dhe mundësitë për ekonominë e rajonit.

“Kosova ka vazhduar angazhimet konkrete për të realizuar agjendën evropiane, me theks të veçantë në Tregun e Përbashkët Rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Hoti.

Postimi i tij i plotë:

Integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit.

Sot mora pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ‘’Vjena, dialogu për të ardhmen 2020’’, me moton ‘’Ekonomia takon politikën në botën digjitale’’.

Në këtë forum u diskutua kryesisht për nevojën për mobilizim të ri në botën digjitale, sfidat dhe mundësitë për ekonominë e rajonit. Përkundër pandemisë Covid-19, Kosova ka vazhduar angazhimet konkrete për të realizuar agjendën evropiane, me theks të veçantë në Tregun e Përbashkët Rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Besoj fuqishëm se pas zotimeve në Samitin e Sofjes, javën e kaluar, integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit. Qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale është kyçe për zhvillimin afatgjatë dhe integrimin në BE të gjithë rajonit.

Kosova është e vendosur për të promovuar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike dhe presim qasje konstruktive nga të gjitha palët, sidomos nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina. Bashkëpunimi multilateral siç është Tregu i Përbashkët Rajonal, promovon dhe përmirëson sigurinë në rajon, qëndrueshmërinë politike dhe bashkëpunimin ekonomik.