Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria nuk ka marrë masa për të ndihmuar qytetarët për t’u përballur me rritjen e çmimeve.
“Në Kosovë masa substanciale nuk shihen askund, me përjashtim të shtesave në pensione dhe asistencë që janë të përkohshme. Tatimi në Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akciza nuk u ulën, jo se nuk ishte e përballueshme për buxhetin, por për shkak se ishte propozuar opozita (nga LDK-ja). Si rezultat i inflacionit, shteti inkasoi shumë më tepër të hyra, të cilat nuk i shpenzoi dhe, si rezultat, ato u zhvlerësuan së paku për 12%”, ka thënë ai.
Tutje Hoti përmes një postimi në Facebook, tha se pushtetarët sipas tij, u kujdesën për një pjesë të bizneseve “ato biznese që kanë kontrata me shtetin për investime kapitale”.
“Kuvendi e miratoi ligjin diskriminues për punët publike, me të cilin bizneset mund të rrisin çmimin e kontratave me shtetin deri në 20% për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve. Sikur të uleshin ngarkesat tatimore dhe akciza në naftë, atëherë efektet do t’i ndienin të gjithë pa përjashtim”.
“Nuk do të kishte pasur nevojë për këtë ligj diskriminues. Nuk do të ishin mbledhur mjete pa nevojë në buxhet, të cilat po zhvlerësohen”, ka shkruar Hoti.