Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ia shprehi ambasadorit amerikan Philip Kosnett vendosmërinë për bashkëpunim me SHBA-në.
Hoti e priti sot në takim njoftues ambasadorin dhe siç njofton kumtesa nga kryeministria, Hoti e falënderoi ambasadorin Kosnett për mbështetjen e përhershme të SHBA-së.
“Hoti pohoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të punuar ngushtë me SHBA-të edhe në të ardhmen”, thuhet ndër tjera në njoftim.
Po ashtu, thuhet tutje, kryeministri Hoti e njoftoi ambasadorin Kosnett për prioritetet e menjëhershme të qeverisë së re, siç janë: lufta kundër COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike. Krahas këtyre, ai theksoi edhe prioritetet e tjera, si forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, rritja e punësimit, zhvillimi i tregut të lirë dhe marrja e përgjegjësive për dialogun.
Më tej theksohet se ambasadori Kosnett tha se Shtetet e Bashkuara do te vazhdojnë mbështetjen e saj për Kosovën, sidomos në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet rajonale, mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e sundimit të ligjit – përfshirë këtu edhe luftën kundër korrupsionit./InfoSot/