Hoti fton Macron për vizitë në Kosovë

E publikuar: 07/07/2020 17:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe pjesa tjetër e delegacionit të kryeministrit, është pritur sot në Paris nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në takim u bisedua për zhvillimet në Kosovë dhe rajon me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Hoti e siguroi presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një komunikatë për media.

Kryeministri Hoti tha se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Presidenti Macron dhe kryeministri Hoti u pajtuan që të dy vendet të bashkëpunojnë për shkëmbimin e të dhënave në mes të dy ministrive të brendshme sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, si dhe të punohet së bashku për promovimin e frankofonisë në Kosovë.

Kryeministri Hoti ftoi presidentin Macron për vizitë në Kosovë, të cilën ftesë ky i fundit e mirëpriti. Kjo vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për presidentin Macron, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.

Ndryshe, kjo ishte vizita e parë bilaterale në Pallatin Elysee e një kryeministri të Kosovës pas shumë vitesh.