Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ka folur sonte për dialogun Kosovë – Serbi në Bruksel.
Në emisionin “Komiteti Qendror”, Hoti ka thënë se fillimisht ndërtimi i murit në Veri të Mitrovicës ishte mënyrë e Serbisë, më anë të së cilit u shkelën ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e dialogut.
Më tej, zv. ministri ka përmendur shpërfilljen që sipas tij, Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka bërë Republikës së Kosovës si sjellje që duhet t’i jepte sinjal zyrtarëve qeveritarë për ndalimin e bisedimeve me Serbinë.
Hoti ka shtuar se urdhër arrestet e Serbisë për komandantët e UÇK‘së, që së fundmi rezultuan edhe me arrestimin e Kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rajmush Haradinaj, në pjesën franceze të Aeroportit të Bazelit dhe veprimet e mëparshme të shtetit serb janë arsyet e mjaftueshme që bisedimet me të ndalen.
Sipas tij, dialogu ka kaluar në një fazë rutine, pa strategji politike dhe si i tillë duhet të pezullohet./Express/

















