Ministri i Financave Avdullah Hoti, përmes një statusi në Facebook, ka falënderuar kryesuesin dhe asambleistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës për votimin për garancinë për kredinë e Trafikut Urban që do e marrë në BERZH për blerjen e 51 autobusëve.
Lexoni të plotë statusin e Hotit:
Falënderoj kryesuesin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, z. Halim Halimi për futjen në rend të ditës në punimet e Asamblesë Komunale të pikës për votimin e garancisë për kredinë e Trafikut Urban që do e marrë në BERZH për blerjen e një numri të autobusëve. Falënderoj të gjithë këshilltarët e Asamblesë Komunale për votimin në mënyrë unanime të kërkesës ligjore të Ministrisë së Financave, e bazuar plotësisht në Ligjin për Borxhin Publik. Pas kalimit të kësaj pengese, që konsideroj që ishte e panevojshme, ne si Qeveri brenda një afati sa me shpejt që është e mundur, këtë çështje do ta procedojmë për votim në Kuvendin e Kosovës. Votimi i sotëm i Asamblesë komunale, duhet të shihet vetëm si fitore e kërkesës për zbatueshmerinë e ligjit në Kosovë.