Kryeministri Avdullah Hoti, miratimin e buxhetit për vitin 2021 e ka quajtur buxhet që siguron stabilitet për funksionimin e institucioneve, financim të duhur për shëndetësi për luftimin e pandemisë, përfshirë blerjen e vaksinave anti-Covid me 40 milionë euro.
Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka thënë se ky buxhet siguron edhe zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes për 2021, si dhe kontribuon në kultivimin e partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare.
Ky është statusi i tij i plotë:
Miratohet buxheti për vitin 2021, i cili siguron stabilitet për funksionimin e institucioneve, financim të duhur për shëndetësi për luftimin e pandemisë, përfshirë blerjen e vaksinave anti-Covid me 40 milionë euro.
Buxheti siguron financim të rregullt të arsimit, drejtësisë, sigurisë dhe mbrojtjes, kulturës, rinisë dhe sportit, financimin e rregullt të skemave sociale dhe pensionale, financimin e projekteve kapitale, financimin e rregullt të buxhetit të komunave.
Buxheti siguron zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes për 2021, si dhe kontribuon në kultivimin e partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me partnerët tjerë zhvillimor të Kosovës që ka munguar në vitet e fundit.