Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti deklaroi sot se asociacioni i komunave me shumicë serbe është një temë e mbyllur për qeverinë.
Gjatë interpelancës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, i pari i Qeverisë së vendit tha se ai mund t’i ofrojë deputetëve të gjithë dokumentacionin për të parë se kush janë ekspertët e angazhuar në procesin e dialogut.
“Për asociacionin besoj që qëndrimi është i qartë. E thashë disa herë, po e them prapë, është një marrëveshje e mbyllur më 2013 dhe më 2015. Është mirë që në vitin 2015 kemi pasur opinionin e Gjykatës Kushtetuese. Ekspertët që angazhohen në këtë proces janë vendorë dhe ndërkombëtarë. Unë mund t’ju ofroj, kurdo ejani në zyrën time, të gjithë dokumentacionin do ta kini në dispozicion për të parë kush janë ata dhe çfarë bëjnë, por para jush unë jam përgjegjësi për proces të dialogut”, tha ai./M.Duraku/