Eksperti i çështjeve të Ballkanit thotë se dështimi i miratimit të legjislacionit për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, dëmton rëndë marrëdhëniet dyplaëshe me Shetet e Bashkuara.
James Hooper, Drejtor Menaxhues i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Politikat, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se hapat e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik rrezikohen nga ky dështim. Hooper shpreson se Kosova do të gjejë një mënyrë për ta votuar përsëri legjislacionin, pasi sipas tij në të kundërt do të fillonte destabilizimi i Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, sot parlamenti i Kosovës nuk arriti të miratojë legjislacionin për ndryshimet kushtetuese që do të bënin të mundur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për Krimet e Luftës. Çfarë do të thotë kjo, sipas mendimit tuaj?
James Hooper: Kjo i dëmton rëndë marrëdhëniet dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Mendoj se kjo është shumë serioze dhe shpresoj që tani të mbizotërojnë mendjet më të ftohta. E kuptoj që ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë që u duhej të merrnin kosovarët dhe nuk dua ta minimizoj. Ishte një nga vendimet më të rëndësishme që u është dashur të merrnin që kur mbaroi lufta në vitin 1999, sepse gjykata është konsideruar nga shumë vetë në Kosovë si një proces që ngre pyetje për legjitimitetin e luftës, legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo ka shkaktuar një ankth dhe pakënaqësi të konsiderueshme mes ish-anëtarëve të UÇK-së dhe mes qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, të cilët e kanë parë këtë si një kërcënim për të ardhmen e tyre, që vë në pikëpytje legjitimitetin e të qenurit shtet. Ajo që mund të them është se Kosova ka ndërmarrë kaq shumë hapa pozitivë, si fitorja e luftës me NATO-n si partnere në vitin 1999, shpallja e pavarësisë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare. Gjatë gjithë këtyre hapave Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithnjë në krah të Kosovës. Është bindja ime që Kosova ka grunbulluar shumë kapital përsa i takon vullnetit të mirë nga komuniteti ndërkombëtar. Mund të thuhet që kjo u konsolidua nga marrëveshja e para dy viteve në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës që krijoi mundësinë për hedhjen e hapave përpara. E gjithë kjo e ka vënë Kosovën në një situatë që nuk i duhet të shqetësohet për lirinë e tyre, për pavarësinë e tyre, nuk kërcënohet nga ndonjë sulm, që mund të përqendrohen tani tek ndërtimi i vendit, i shoqërisë së tyre, zgjidhja e problemeve të shoqërisë. Por kjo (ky vendim) do të ishte një kthim prapa, sepse e kthen debatin – dhe mendoj në një mënyrë emocionale për Kosovën – tek legjitimiteti i saj si shtet tek pavarësia dhe (shqiptarët e Kosovës) do të kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në gjithë rajonin për këtë çështje.
Unë u befasova vërtet që me gjithë inkurajimin që Shtetet e Bashkuara i dhanë Kosovës për ta ndihmuar që të arrinte të merrte një vendim që gjithkush në Uashington e kuptonte sesa i vështirë ishte, pra pavarësisht nga kjo Asambleja nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej dy të tretash.
Zëri i Amerikës: Në këtë pikë, a mendoni se mund të bëhet diçka për të ndryshuar vendimin e sotëm dhe cili do të ishte sugjerimi juaj?
James Hooper: Nuk besoj se është vonë. Ky nuk duhet të jetë votimi i fundit dhe përfundimtar për këtë çështje i banorëve të Kosovës përmes deputetëve që i përfaqësojnë. Unë do t’u bëja thirrja autoriteteve të gjejnë një mënyrë për të patur një votim të ri. Të mos nxitohen, ta shqyrtojnë edhe një herë situatën, të analizojnë dëmin që do t’i shkatonin marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Ky votim në këtë formë, do t’u shkaktonte dëm serioz marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara në se nuk do të korrigjohej. Kosova duhet të gjejë një rrugë, të gjejë një zgjidhje që Gjykata të krijohet dhe në të njejtën kohë të ruhen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Nuk dua në asnjë mënyrë të minimizoj rrezikun që vendimi i së premtes përmban për marrëdhëniet e Shteteteve të Bashkuara me Kosovën. Ky ishte një vendim serioz që do të shkaktonte dëme të mëdha.
Zëri i Amerikës: Më konkretisht, cilat mendoni se do të jenë pasojat jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe me Uashingtonin, por edhe me kryeqytetet evropiane që e kanë mbështetur Kosovën dhe tek e ardhmja e saj?
James Hooper: Dhe sidomos Gjermania, mes vendeve mike evropiane. Gjermania ka ndërmarrë përpjekje serioze dhe të vazhdueshme, për të ndërmjetësuar marrëdhënie më të mira mes Serbisë dhe Kosovës, që marrëveshja për Veriun të zbatohet në mënyrë konstruktive dhe për të inkurajuar Serbinë të pranojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, gjë që unë mendoj se është diçka me rëndësi kritike që duhet të ndodhë. Nëse ky votim do të lejohet të qëndrojë në fuqi, kjo do të ishte një hap i madh prapa për marrëdhëniet me Evropën, pa folur për SHBA. Siç e kam përmendur, ky do të ishte një hap prapa në marrëdhëniet me SHBA, do të ishte një humbje e besimit në këto marrëdhënie dhe sidomos në Kongres. Do të ishte më e vështirë për miqtë e Kosovës në Kongres ta mbështesnin atë me të njëjtën forcë si në të kaluarën. Por në Evropë, kjo do të dëmtonte përpjekjet për ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe për të krijuar shtegun drejt anëtarësimit. Është gjithashtu një hap prapa për marrëdhëniet e Kosovës në përpjekjet për të hyrë në NATO, gjë që mendoj se ka rëndësi kritike. Prandaj mendoj se për hir të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA dhe me Evropën, për hir të së ardhmes së saj në NATO dhe në BE, është e nevojshme që ajo të ndërmarrë një votim të ri dhe ta miratojë ligjin.
Zëri i Amerikës: Alternativa tjetër, për të cilën Kosova ishte paralajmëruar që të mos ta lejonte të ndodhte, është ngritja e një gjykate të tillë nga Këshilli i Sigurimit, sipas një propozimi rus. Çfarë do të thoshte kjo – nëse nuk zgjidhet çështja e alternatives që dështoi dje – dhe alternativa e Këshillit të Sigurimit mbetet e vetmja mbi tryezë?
James Hooper: Ky do të ishte një skenar edhe më i keq se sa ta miratonin krijimin e gjykatës. Kjo do të thotë në fakt që Shtetet e Bashkuara të bëhen partnere me Rusinë për një Gjykatë të krijuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që nuk do të shihej si legjitim nga banorët e Kosovës. Ndërsa Gjykata që do të krijohej nga vetë parlamenti, do të gëzonte mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara duke u siguruar që ajo do të ishte një gjykatë e drejtë përsa u përket procedurave dhe jo një gjykatë politike. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të besohen për këtë. Ndërsa krijimi i gjykatës nga Këshilli i Sigurimit do të ishte fillimi i një procesi që shënon kthim pas, ku gjerat përkeqësoshen dhe alternativat për Kosovën do të keqësohen. Në se kjo Gjykatë, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara nuk pranohet, si do ta shikonin kosovarët gjykatën e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit….
Zëri i Amerikës: Ndoshta ata nuk duan krijimin e asnjë gjykate, por ç’do të ndodhte në se Gjykata krijohet pa dëshirën e tyre (Kosovës)?
James Hooper: Në se Gjykata nuk miratohet, në se kosovarët këmbëngulin që të mos pranojnë asnjë gjykatë, as atë të tanishmen, as atë të Këshillit të Sigurimit, e cila po ashtu do të mbështetej nga Shtetet e Bashkuara por në të cilion Shtetet e Bashkuara nuk do të luanin dot më një rol konstruktiv, pasi kur gjerat kalojnë në Këshillin e Sigurimit, ka edhe aktorë të tjerë të përfshirë, sidomos Rusia, kjo do të shënonte kthim pas për Kosovën dhe në vend që të gjendeshin forma për t’i çuar përpara marrëdhëniet me Evropën, me NATO-n, forcimin e ekonomisë, atëhere do të kishim një skenar kur lufta për pavarësinë do të hynte në kanale ligjore, emocionet do të shtoheshin, njerëzit do të kërkonin gjeste simbolike, vendime simbolike, do ta vishnin veten me flamur, nacionalizmi do të shtohej në Kosovë dhe në situata të tilla, nuk ka ecje përpara, ka kthim pas. Në se situata nuk ndryshon unë shoh fillimin e destabilizimit të Kosovës. Dhe kjo do të ishte një pasojë shumë serioze.