Holanda me një këmbë jashtë finaleleve të Euro 2016. “Tulipanët” zhgënjyen në shtëpi me Islandën, që morri tri pikë shumë të rëndësishme duke siguruar praktikisht kualifikimin, pasi ruan pozitat në krye të Grupit A në kuotën e 18 pikëve, ndërsa në sfidën e ardhshme pret Kazakistanin. Goli që vendos sfidën u shënua nga Sigurdsson me 11-metërsh në minutën e 51-të, por duhet theksuar se formacioni i Deni Blind luajti për pjesën më të madhe të kohës me një lojtar më pak, pas ndëshkimit me karton të kuq të Martin Indit që në minutën e 33-të. Po në Grupin A Cekia fitoi më përmbysje 2-1 me Kazakistanin dhe shkëputet 6 pikë nga Holanda. Kazakët befasuan në pjesën e parë me Logvinenkon, për në minutat 74 dhe 86 Skoda realizoi dy herë për vendasit, që shmangën një rezultat surprizë në shtëpinë e tyre. Vazhdon të paraqitet dobët në këto eliminatore Turqia, që barazoi 1-1 me Letoninë, duke rënduar pozitat e saj në Grup A. Përballja direkte me Holandën do të përcaktojë se cila nga këto skuadra do të ketë mundësinë të shkojë të paktën në Play-off.
Në Grup B vijon i pandalshëm rrugëtimin Uellsi, që falë Gareth Bale, mposhti 1-0 Qipron në transfertë dhe hedh një hap të sigurtë drejt finaleve të Europianit. Belgjika fundosi në këtë Grup Bosnjë Herecegovinën, duke e mposhtur me rezultatin 3-1. Fellaini, De Bruyne dhe Hazard me 11-metërsh e bënë të pavlefshëm golin e Edin Dzekos që në minutën e 15-të të kësaj sfide. Ndërkohë Izraeli e pati të lehtë ndaj Andorrës, duke triumfuar 4-0. Në Grupin H Italia përfitoi nga hapi i gabuar i Kroacisë, që barazoi 0-0 me Azerbajxhanin në transfertë, për t’u ngjitur në krye të klasifikimit. Graziano Pele realizoi golin e vetëm në përballjen me modestët e Maltës, që rezistuan 69 minuta pa pësuar gol. Në këtë grup zhgënjen Bullgaria, që u mund 1-0 në shtëpi nga Norvegjia, falë golit të Forren.