Hiqet pagesa prej 40 euro për transportuesit e mallrave në Hanin e Elezit

E publikuar: 07/02/2022 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Transportuesit e mallrave nuk do të paguajnë më 40 euro në Terminalin doganor në Hanin e Elezit, aq sa ishin të detyruar të paguanin më parë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përmes një postimi në Facebook, pas zhbllokimit të rrugës nga rrethojat metalike që ishin të vendosura në Terminalin Doganor në Hanin e Elezit.

“Është zhbllokuar rruga nga rrethojat metalike që ishin të vendosura në Terminalin Doganor në Hanin e Elezit
Pas ankesave të shumta nga agjentët doganor, MMPHI në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përkitazi Doganën e Kosovës, kanë iniciuar kërkesën për zhbllokimin e rrugës nga rrethojat metalike të vendosura në rrugën e cila është pronë shoqërore, nën menaxhimin e AKP-së.
Operatori Ekonomik, “Terminali SHPK”, kishte bllokuar rrugën për transportuesit e mallrave duke i detyruar ata të paguanin dyzet euro. Me asistencën e Policisë së Kosovës, tashmë kjo rrugë është zhbllokuar, rrjedhimisht transportuesit e mallrave nuk do të paguajnë më 40 euro, aq sa ishin të detyruar të paguanin më parë”, thuhet në postim.