Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë fundivti për mediumin serb “Telegraf” ka folur edhe për bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999.
Hill ka thënë se duhet pasur parasysh që diçka e tillë ka ndodhur para 23 vjetësh dhe është njëjtë sikur të flitet për ngjarjet e vitit 1968 apo 1945.
Ndërkohë thotë se personalisht “i vjen keq” që një gjë e tillë ka ndodhur në historinë amerikane, por shton se duhet marrë mësime nga e kaluara dhe s’duhet bërë pengje të saj.
“S’jam i lumtur për këtë. Por në një moment njerëzit duhet të kthehen drejt së ardhmes për të lëvizur përpara. Për të provuar për të marrë mësime nga e kaluara, por jo për t’u bërë pengje dhe skllav të së kaluarës”, ka thënë Hill.
Diplomati amerikan tutje ka thënë se është rikthyer në Serbi me shpresën që do të punojnë shumë bashkë. Sipas tij, duhet fokusuar në të ardhmen dhe jo në diçka që ka ndodhur para 23 vjetësh.
“Unë kam ardhur këtu pas 23 vjetësh, me pritjet që ne mund të bëjmë shumë bashkërisht . Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe botëkuptime dhe mendoj se ne duhet të fokusohemi në këtë, dhe jo në diçka që ka ndodhur para 23 vjetësh”, ka shtuar tutje Hill.