Hillary Clinton sfidon moshën e gatshme për një fillim të ri

E publikuar: 11/04/2015 09:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Do të jetë kjo gara e dytë e Clinton në përpjekje të marrë postin më të pushtetshëm në botë, një post që në historinë e deritashmë 238 vjeçare të Amerikës nuk e ka mbajtur ndonjë grua.

Tashmë është lajm kryesor në Amerikë paralajmërimi se të dielën, pra nesër, ish zonja e parë, ish senatore dhe ish Sekretare e Shtetit, Hillary Clinton, do të shpallë zyrtarisht kandidaturën e saj për presidente për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në SHBA në nëntor, 2016.

Do të jetë kjo gara e dytë e Clinton në përpjekje të marrë postin më të pushtetshëm në botë, një post që në historinë e deritashmë 238 vjeçare të Amerikës nuk e ka mbajtur ndonjë grua. Në garën më 2008 ajo humbi luftën brendapartiake për nominim nga presidenti i tashëm, Barack Obama.

Hëpërhë Clinton gëzon një mbështetje të madhe nga Partia Demokratike, e pakontestueshme dhe e pasfiduar nga ndonjë tjetër kandidat brendapartiak për marrjen e nominimit. Publiku amerikan që sipas sondazheve e mbështet rreth 50 për qind, që është mbështetja më e lartë për një kandidat të mundshëm, sikur ndjen se i ka mbetur borxh Clinton në zgjedhjet e vitit 2008.

Duket se atëherë Amerika ende nuk ishte e gatshme t’ia besonte postin më të lartë në vend një gruaje, ndërsa tani sikur ka ndryshuar ky përceptim dhe Clinton, përkundër një moshe kur shumica kënaqen me daljen në pension, ajo si gjyshe 68 vjeç bëhet gati ta sfidojë atë për në një fillim të ri në jetën e saj dhe të politikës amerikane.

Clinton sipas një analize të rrjetit CNN ka mbështetjen e 27 senatorëve demokratë, nga 46 sa janë në Senatin Amerikan, që ëshë një mbështetje rekorde në këtë fazë kur zgjedhjet janë rreth një vit e gjysmë larg. Së këndejmi, kur kihen arasysh të gjitha sondazhet, duket se zgjedhjet preliminare dhe nominimi nga partia do të jetë më i lehtë se për çdo kandidat tjetër nga të dyja partitë./Indeksonline/