Hill thotë se Serbia është partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova

E publikuar: 19/03/2024 22:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Hill

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar sonte se Serbia është aktualisht një partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova dhe përsëriti se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të themelohet.

Hill këtë ia tha RTS-së, ndërsa fliste për ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999 para bombardimit të Jugosllavisë, përcjell klankosova.tv.

“Nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova. Për momentin, po. Kjo është shumë e vërtetë tani. Ne punojmë me ushtrinë serbe çdo ditë, kemi pasur stërvitje, trajnime, një numër gjërash me ushtrinë serbe… Tani ne punojmë së bashku shumë më tepër…” – tha Hill.

Duke folur për Asociacionin, Hill shprehu qëndrimin e Washingtonit, ku sipas tyre, themelimi i tij është detyrim i vonuar.

“AKS është rënë dakord 11 vjet më parë, dhe qëndrimi ynë dhe qëndrimi i BE-së, dhe kemi dëgjuar gjithashtu Josep Borrell të flasë për të, sepse AKS duhet të formohet. Është e nevojshme dhe do të zgjidhte shumë probleme, p.sh. Çështja e pensionistëve – si të merren mjete për pensionistët, si të zgjidhet çështja e dinarëve, si të menaxhohet arsimi… E gjithë kjo do të zgjidhej me AKS-në.” – citohet të ketë deklaruar Hill.

Ai përsëriti se SHBA qëndron pas saj dhe këmbëngul për të.

“Mendoj se në një moment i dërguari ynë Gabriel Escobar, lidhur me AKS-në dhe Kurtin, pati thënë se ‘do ta bëjmë me ose pa Kurtin’. Këto janë fjalë të forta dhe SHBA-të qëndruan pas tyre. Janë negociata, duhet t’i zgjidhni gjërat, nuk është e lehtë, por ne jemi të përkushtuar ndaj saj dhe jam i sigurt se në një moment të caktuar do ta bëjmë.” – tha ambasadori amerikan.

Hill shtoi se pritshmëritë e SHBA në Rambuje ishin që pas disa vitesh të gjithë do të ishin në Evropë, por rezultati ishte dukshëm i ndryshëm.

“Por kjo nuk e ndryshon atë që duhet bërë. Vendi i duhur për Serbinë është në Bashkimin Evropian dhe ne do të donim ta ndihmonim Serbinë të arrijë atje. Shpresoj që kjo të ndodhë më shpejt sesa më vonë.” – tha Hill.