Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha të hënën se nuk sheh prova që Beogradi është përfshirë në sulmin e 29 nëntorit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës, për të cilin autoritetet në Kosovë akuzuan Serbinë.
Ai i bëri këto komente në një intervistë me televizionin shtetëror serb, duke theksuar se ka parë dëshirë nga të gjitha palët që të ndriçohet e vërteta për autorët e sulmit.
“Ne sigurisht nuk shohim prova që do të çonin në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë. Mendoj se është mirë që ne po i ofrojmë mbështetje atij hetimi përmes FBI-së (Byroja Federale e Hetimeve) dhe mendoj se është e rëndësishme. Por, e tëra flet për faktin se ka mungesë besimi dhe tendencë për të akuzuar njëri-tjetrin”, tha ai sipas një përkthimi të televizionit shtetëror serb.
Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier ka njoftuar se FBI-ja po ndihmon autoritetet në Kosovë për të ndriçuar rastin 29 nëntorit, që ngjalli reagime të shumta.
Kosova akuzoi Serbinë për sulmin të cilin e cilësoi si terrorist, një cilësim që u përdor edhe nga Bashkimi Evropian. Autoritetet në Kosovë dyshojnë se prapa sulmit mund të jenë pjesëtarë të organizatës “Mbrojtja Civile”, e cila vitin e kaluar së bashku grupin “Brigada e Veriut” u shpallën si organizata terroriste nga qeveria e Kosovës. Zyrtarët në Kosovë thonë se këto organizata mbështeten dhe financohen nga Beogradi zyrtar.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në sulm ndërsa ka theksuar gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për kryerjen e hetimeve.
Sulmi i një muaji më parë vetëm sa shtoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me gjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ripërtërirë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christofer Hill i tha televizionit shtetëror serb se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që Serbia e mbështet procesin e dialogut.