Hill: Më urgjentja tani është zgjidhja e çështjes së Asociacionit

E publikuar: 02/03/2023 19:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se Kosova dhe Serbia në takimin në Bruksel treguan se janë “shumë seriozë për të ecur përpara” dhe se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të zgjidhet më urgjentisht.

“Mendoj se është më urgjente të zgjidhet çështja e Asociacionit dhe ka disa arsye për këtë, njëra prej tyre është se çështja ekziston për 10 vjet, dhe së dyti, mendoj se nëse fillojmë me të, njerëzit (serbët në Kosovë) do të kthehen në institucione. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të qetësojmë të gjithë situatën, sepse është e nevojshme”, tha Hill për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Ai shtoi se duhet ende shumë punë për të bërë, por pjesa më e rëndësishme e punës është zbatimi i marrëveshjes.

Hill tha gjithashtu se të gjithë e kuptojnë se sa e rëndësishme është çështja e negociatave ndërmjet dy vendeve.

“Dhe bashkë me rëndësinë vjen edhe urgjenca, duhet ta zgjidhin atë”, tha ai.

Sipas tij, Bashkimi Evropian ka investuar shumë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që ka “rëndësi historike”.

“Është një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh në Evropë tani, nuk mendoj se duam të ecim me ritëm të ngadaltë, por sa më shpejt”, theksoi ambasadori amerikan në Beograd.