Hill: Ka dukshëm më tepër mundësi për përparim në dialog sesa për konflikt

E publikuar: 11/08/2022 22:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar sot se përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës duhet të bëjnë më shumë në zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme, dhe shtoi se mendon se ka më shumë mundësi për përparim real në dialog sesa për një konflikt të ri më 1 shtator.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve në rrjete sociale rreth dialogut dhe rrezikut të konfliktit, ambasadori amerikan tha se është e qartë se Beogradi dhe Prishtina duhet të bëjnë më shumë në zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme.

“Përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës kanë ndërmjetësues mjaft të mirë nga BE-ja dhe SHBA-të janë gjithashtu shumë aktive. Mezi pres të shoh një përparim, dhe mendoj se të gjithë mund të shtyjmë për këtë dhe të sigurohemi që të gjithë të jenë në detyrë dhe të shohin përpara”, thekson Hill.

Rundi i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, do të mbahet më 18 gusht në Bruksel.

Duke komentuar faktin se Serbia është i vetmi vend evropian që nuk dëshiron të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Hill tha se është e qartë se Serbia ka një qëndrim ndryshe nga SHBA-ja dhe partnerët e saj evropianë.

“Mendoj se është e rëndësishme të përqendrohemi në gjërat për të cilat biem dakord dhe të përpiqemi të ecim përpara së bashku”, tha Hill, raporton televizioni publik.

Ndërkaq, i pyetur se pse SHBA-të e mbështesin integritetin e Ukrainës, por jo të Serbisë, Hill tha se situata në Ukrainë është krejtësisht e ndryshme dhe e pakrahasueshme me Kosovën.

“Në fund të ditës, ky është një fqinj që sulmoi Ukrainën, civilët e saj dhe vazhdon të bombardojë qytetet e saj. Ukraina me të vërtetë duhej të luftonte kundër atij sulmi absolutisht keqdashës nga Rusia, i cili vazhdon edhe sot”, tha Hill, duke shtuar se prandaj do të ishte shumë i kujdesshëm kur krahasonte situatën në Ukrainë me atë të disa dekadave më parë.

Ambasadori Hill tha se NATO-ja e ka bërë të qartë se Serbia, nëse dëshiron, mund të bëhet pjesë e asaj aleance, por gjithashtu theksoi se kjo do të ndodhë kur ta dëshirojnë qytetarët e saj.

Gjatë një komunikim online me qytetarët, ambasadori Hill ka pranuar rreth 400 pyetjet dhe komente në Twitter dhe Facebook, dhe shumica e tyre ishim në lidhje me Kosovën, marrëdhëniet e SHBA-së me Serbinë, krahasimin me Ukrainën, për sundimin e ligjit, etj.