Hill flet për dëshminë në Hagë: Nuk kam njohuri për asnjë krim të kryer nga Thaçi

E publikuar: 24/02/2026 23:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë të martë, në emisionin Opinion u transmetua një intervistë e diplomatit amerikan Christopher Hill. Ai u pyet edhe në lidhje me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe se si e njohu këtë të fundit kur Hill ishte i dërguari i SHBA-ve për Kosovën në kohën e luftës.

Hill, i cili ka dëshmuar edhe në Hagë, tha se nuk ka parë asnjë shembull që provon se UÇK dhe Thaçi kanë kryer krime që pretendon Prokuroria Speciale. Ai theksoi se UÇK-ja nuk ishte një organizim i fortë vertikal.

Blendi Fevziu: Thaçi është duke u gjykuar në Hagë. Keni qenë aty si dëshmitar përpara ca javësh.

Christopher Hill: Dëshmitar i karakterit.

Blendi Fevziu: Dëshmitar i karakterit. Po. Problemi është pse Thaçi është në paraburgim, edhe pse ka qenë një partner i amerikanëve gjatë luftës dhe pas luftës?

Christopher Hill: Mendoj se kjo pyetje i duhet drejtuar prokurorisë. Me sa kuptoj unë, ata e shikojnë si një person me autoritet në zinxhirin e komandimit.

Blendi Fevziu: Është shumë e vështirë të ngresh një çështje të tillë pa mbështetje politike.

Christopher Hill: Mendoj se ka edhe politikë të përfshirë. Nuk po flas për gjykatën, po flas për Kosovën. Mendoj se qasja e prokurorëve është se ata ndjehen se mund të provojnë që ai ka qenë pjesë e zinxhirit të komandimit, të përfshirë në vdekjen e njerëzve të ardhur nga mënyra të paligjshme. Asnjëherë nuk pashë shembuj të tillë.

Blendi Fevziu: Nuk ka asnjë rast konkret kundër tij.

Christopher Hill: Sipas mendimit tim, dhe siç ishim duke folur përpara pak minutash, UÇK-ja nuk ishte një organizim i fortë vertikal. Meqë ra fjala, dhe mund të flasim për Rambujenë më vonë, në Rambuje vura re se ai nuk mund të thoshte po apo jo për asgjë. I duhej t’i telefononte njerëzve në Kosovë. Pra, kjo ide se ai ishte përgjegjës për UÇK-në, mendoj se është e gabuar dhe jam kundër saj. Prandaj ndjeva se duhej të shkoja në Hagë dhe të rrëfeja çfarë dija.

Blendi Fevziu: Si diplomat në atë kohë, mendoni se UÇK-ja ka kryer krime kundër njerëzimit?

Christopher Hill: Nuk kam për të mbështetur çfarë ka bërë UÇK-ja në gjithë Kosovën. Nuk jam në pozitë t’i jap mbështetje apo ta shfajësoj UÇK-në. Thjesht jam duke ju thënë që nuk kam njohuri për asnjë krim të kryer nga zoti Thaçi dhe prandaj shkova…